Real Madrid ka fituar mbrëmë me rezultat 3-2 ndaj Almerias në “Santiago Bernabeu”, sfidë kjo e cila u shoqërua me polemika gjatë dhe pas ndeshjes.
Kjo kryesisht për shkak të vendimeve tendencioze të gjyqtarit të ndeshjes, i cili shkaktoi reagime të mëdha për thirrjet që i bëri pas konsultimit me sistemin VAR.
Një ndër momentet kontroverse të asaj ndeshje ishte momenti kur Vinicius shënoi në minutën e 67-të për të barazuar shifrat 2-2.
Në pamje të parë dukej se braziliani kishte çuar topin në rrjetë me dorë, por pasi gjyqtari vendosi ta rishikoj aksionin në monitor, e konsideroi që ylli i Real Madridit e ka goditur topin me shpatull dhe kësisoji e pranoi atë si të rregullt.
Në mesin e shumë polemikave dhe reagimeve, një ditë pas kësaj ndeshje ka reaguar përmes platformës X (ish-Twitter) edhe vet Vinicius.
“Golazo!!! Kështu e kam bërë gjithmonë në plazhin e Copacabanas”, ishin fjalët e Vinicius mbi videon e golit që kishte shënuar.
Golazo!!! Así lo hacía siempre en la playa de Copacabana 😮💨 https://t.co/RRojbgTgIs
— Vini Jr. (@vinijr) January 22, 2024
Goditja e topit me shpatull është një mënyrë se si të rinjtë në Brazil argëtohen gjatë kohës se lirë dhe Vini i është referuar kësaj.
Përveç rastit të 23-vjeçarit, raste tjera që u diskutuan ishin edhe penalltia e fituar nga madrilenët,e cila më pas u shndërrua në gol nga Jude Bellingham, dhe anulimi i golit të tretë të Almerias, i cili në rast se do pranohej, me shumë mundësi do t’i kishte dhënë fund shpresave të vendasve për rezultat pozitiv./Telegrafi/