Telegrafi

Vinicius Jr shkëlqen me het-trick, Reali shkatërron Levanten

Real Madridi është rikthyer te fitoret në La Liga, teksa ka mposhtur Levanten me rezultat të thellë 6-0.

Kampionët e ri të La Ligas kanë triumfuar pa shumë mund ndaj ekipit të fundit në tabelë, që tanimë vetëm janë përshëndetur me elitën e futbollit spanjoll pas kësaj disfate.

Vetëm pas 13 minutave lojë, Ferland Mendy u asistua mirë nga Luka Modric dhe realizoi për 1-0.

Gjashtë minuta më vonë Los Blancos ngritën epërsinë në 2-0, kur realizoi kapiteni Karim Benzema pas asistimit nga Vinicius Junior.

Ishte minuta e 34-të, kur Rodrygo shënoi për 3-0, derisa në minutën e fundit të pjesës së parë Vinicius Junior realizoi për 4-0.

Në pjesën e dytë Los Blancos luajtën më qetë, por shënuan edhe dy gola të tjerë.

Vinicius Junior në minutën e 68-të realizoi gol të bukur për 5-0.

Ndërkohë shtatë minuta para fundit të ndeshjes, sulmuesi brazilian Vinicius Junior shënoi një tjetër gol për ta kompletuar het-trickun në këtë sfidë.

Kësisoj Reali shkon në kuotën e 84 pikëve në pozitën e parë, derisa Levante mbetet e fundit me 29 sosh. /Telegrafi/