Komandanti i zjarrfikësve në Seattle të Shteteve të Bashkuara njoftoi se katër njerëz kanë vdekur dhe tre të tjerë janë lënduar kur një vinç i ndërtimtarisë u rrëzua të shtunën në qendër të këtij qyteti, me ç’rast i shtypi gjashtë vetura.
Shefi i zjarrfikësve, Harold Scoggins, tha se katër viktimat nuk kishin shenja jete në momentin kur zjarrfikësit arritën në vendin e ngjarjes. Dy nga të vdekurit ishin punëtorë që e drejtonin vinçin dhe dy të tjerët ndodheshin në veturat e tyre.
Scoggins tha se tre të lënduarit, përfshirë një nënë dhe një foshnjë, janë dërguar në spital, ndërsa një tjetër është mjekuar në vendin e ngjarjes. Hetuesit janë duke e hetuar shkaktarin e rrëzimit të vinçit, shkruan “The Guardian”, transmeton Express.
“Mendimet dhe lutjet e mia janë për të vdekurit dhe të lënduarit”, tha kryetarja e qytetit Seattle, Jenny Durkan.
“Ishte e tmerrshme. Era ishte shumë e fuqishme”, tha Esther Nelson, dëshmitare e këtij aksidenti. Ajo shtoi se vinçi u thye në mes.
Në këtë qytet janë ngritur shumë vinça të ndërtimtarisë për shkak se disa kompani të mëdha po ndërtojnë qendrat e tyre në këtë vend. Në janar në Seattle ndodheshin 60 vinça ndërtimtarie, më shumë se në secilin qytet tjetër amerikan.