Trajneri i Marseille, Andre Villas-Boas, mendon se numri 10 duhet të pensionohet nga fanellat e të gjitha skuadrave për nder të Diego Maradonas.
Legjenda e Napolit, Barcelonës dhe Boca Juniors, dhe kampioni i botës nga viti 1986, ndërroi jetë të mërkurën në moshën 60 vjeçare si pasojë e një sulmi në zemër.
Nderimet dhe homazhet kanë vërshuar nga e gjithë bota për të vajtuar humbjen e një figurave më të dashura në botën e futbollit.
Maradona do të mbahet mend si një nga më të mirët që e ka luajtur sportin e futbollit, ndërsa fanella me numrin 10 ishte bërë sinonim i ikonës në shumë qarqe.
Dhe Villas-Boas mendon se FIFA duhet ta nderojë legjendën duke e pensionuar numrin që e ka bartur ai në gjithë botën.
“Maradona, po, është lajm i hidhur, do të dëshiroja që FIFA ta pensionojë numrin 10 në fanellë në të gjitha garat, për të gjitha skuadrat. Do të ishte homazhi më i mirë që mund të bënim për të. Është një humbje e madhe për botën e futbollit”, ka deklaruar Villas-Boas pas ndeshjes ndaj Portos në Ligën e Kampionëve. /Telegrafi/