Site icon Telegrafi

Viktimat e së premtes u vranë nga armë të ndryshme

Kjo dosje hetimore pritet të plotësohet nga disa akte të tjera, ku kryesoret janë deklarimet e drejtuesve të gardës, për të cilët ka urdhër-ndalime, si dhe ekspertimet kimike e biologjike të kufomave, por edhe rezultatet e ekspertimeve të plagëve, që të paktën 5 persona kanë marrë gjatë demonstratës së 21 janarit.

Një detaj tjetër i rëndësishëm për hetimin është edhe ekspertimi balistik i armëve të sekuestruara në gardë, për të përcaktuar se cila prej tyre ka shkaktuar vrasjet e Ziver Veizit, Hekuran Dedës e Faik Myrtajt.

Prokuroria pritet të zbardhë detajet për këndin e goditjes dhe drejtimin e armëve që kanë qitur predhat, pasi dy viktimat, Veizi e Deda, dyshohet se janë vrarë nga armë të ndryshme. Ky fakt pohohet edhe nga ekspertiza mjeko-ligjore, që u është bërë viktimave, vetëm pak momente pasi ata kanë humbur jetën. Ky element i hetimit shkon në favor të tezës së prokurorisë, për autorët e vrasjeve.

Sipas ekspertizave zyrtare, të firmosura nga ekspertët mjeko-ligjorë, prokurori i pranishëm dhe oficeri i Policisë Gjyqësore, rezulton se dy nga viktimat, Ziver Veizi dhe Faik Myrtaj, janë qëlluar me armë zjarri të predhave të kalibrit 9 mm.

Viktima e dytë, që sipas pamjeve filmike qëllohet disa metra larg portës së Kryeministrisë, ka një plumb të këtij kalibri në pjesën e djathtë të gjoksit. Duke parë p pozicionin e viktimës dhe plagën e shkaktuar, rezulton se plumbi ka ardhur përballë, paksa nga ana e djathtë.

Me të njëjtin kalibër plumbi rezulton i vrarë edhe Faik Myrtaj, të cilit i kanë gjetur një plumb të kalibrit 9 mm, në shpatullën e djathtë të tij, me drejtim hyrjeje nga para. Ky person, në momentin që është qëlluar ndodhej përballë Kryeministrisë, në krahun tjetër të rrugës, mes Kullave Binjake dhe godinës së Kuvendit të Shqipërisë. Ndryshe nga dy viktimat, Ziver Veizi dhe Faik Myrtaj, i vrari i tretë në demonstratë, dyshohet se është ekzekutuar nga një tjetër armë.

Hekuran Deda, i cili shfaqet në pamjet filmike, duke rënë nga një podium dërrase, sipas ekspertizës është qëlluar me një plumb me fuqi tejshpuese, i cili ka shkaktuar plagën vdekjeprurëse. Paraprakisht dyshohet se arma që ka qëlluar në drejtim të tij ka qenë një automatik tip “AK 47”, ose i quajtur Kallashnikov, pasi plaga e shkaktuar ka të njëjtat karakteristika me atë që shkakton predha e kalibrit 7.62 mm.

Kjo pjesë e hetimit, sipas ekspertëve është mjaft e rëndësishme, pasi tregon se në gjithë sipërfaqen ku ishin vendosur demonstruesit nuk është gjetur asnjë gëzhojë, çka rrëzon teorinë se viktimat mund të jenë vrarë nga vetë protestuesit. Ndërsa në pjesën e brendshme të gardhit, hetuesit e çështjes kanë sekuestruar me qindra gëzhoja, që dyshohet se janë qitur nga armët e gardistëve të Njësisë nr.2, të planifikuar me shërbim brenda territorit të kryeministrisë.

Pas analizimit të të gjitha provave të mbledhura nga hetimet e para, rreth orës 4:00 të mëngjesit të datës 22 janar, Prokuroria e Tiranës ka lëshuar 6 urdhër –ndalimet e shumëpërfolura, për drejtuesit e Gardës së Republikës. Sipas Prokurorisë, komandanti i Gardës, komandantët e tre njësive dhe asaj speciale, kanë qenë të planifikuar me shërbim në zonën përreth Kryeministrisë. /Telegrafi/

Exit mobile version