Më shumë se dy dekada pas luftës së viteve 1998-1999, autoritetet në Kosovë nuk kanë arritur ende ta krijojnë një regjistër zyrtar të viktimave të luftës. Për viktimat e luftës, autoritetet u referohen ende të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, një organizatë që ka mbledhur dëshmi dhe ka regjistruar humbjet njerëzore gjatë luftës.
Politikanët në Kosovë përmendin shpesh viktimat e luftës së viteve 1998-1999, por shpesh ata u referohen atyre me shifra të rrumbullakësuara. Ndërsa çdo vit që kalon, hetimi dhe dokumentimi i krimeve dhe dëmeve po bëhet gjithnjë e më i vështirë.
Me raste, ata thonë se gjatë luftës Serbia ka vrarë “rreth” 12 mijë shqiptarë, disa të tjerë e përmendin shifrën “rreth” e “mbi” 13 mijë.
Për më shumë se dy dekada, institucionet e Kosovës nuk kanë arritur të krijojnë ndonjë bazë të saktë të të dhënave për viktimat e luftës, ndonëse janë krijuar këshilla, komisione e institute për ta bërë këtë vlerësim.
Në vitin 2011, Qeveria themeloi Institutin për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të Luftës, që funksionoi për disa vite dhe u shua në vitin 2019, pa mundur të hartojë një listë të viktimave të luftës.
Qeveria nuk është përgjigjur nëse planifikon të nisë ndonjë proces të regjistrimit të viktimave dhe të të dhënave të tjera që ndërlidhen me luftën.
Nedime Ujkani nga Rezniku i Vushtrrisë ka humbur nëntë anëtarë të familjes së saj në prill të vitit 1999, kur forcat serbe vranë 17 civilë në këtë fshat.
“Ata u vranë apo u dogjën. Ende nuk figurojnë në ndonjë regjistër të shtetit. Dëshmitarja e vetme ka vdekur pa pasur mundësi të dëshmojë për atë që ka përjetuar. Kemi dërguar padi gjatë kohës së misionit të OKB-së (UNMIK) dhe Misionit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), por asgjë deri më tash nuk është bërë”, thotë ajo.
Institucionet e Kosovës nuk kanë krijuar ende një regjistër zyrtar të viktimave të luftës. Paradoksalisht, për shumë të dhëna të luftës referenca e vetme ende është Fondi për të Drejtën Humanitare.
Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë dhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi kanë regjistruar më shumë se 13,500 viktima të luftës në Kosovë dhe kanë verifikuar identitetet dhe shkaqet e vdekjes së të paktën 8,000 prej tyre.
Gjithashtu, Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë po mbledh informacion shtesë për rrethanat e vdekjes së rreth 5,500 viktimave nga viti 1999 deri në vitin 2000.
Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë thotë se shteti i Kosovës duhet t’i mbledhë dhe t’i sistemojë të dhënat për viktimat e luftës.
“Kosova duhet të krijojë një mekanizëm ku do t’i mbledhë të gjitha të dhënat nga të gjitha burimet, përfshirë edhe dokumentet gjyqësore vendore dhe ndërkombëtare që ndërlidhen me luftën në Kosovë”, thotë Alija.
Ndërsa Kushtrim Koliqi nga organizata Integra, puna e së cilës fokusohet te paqja, pajtimi dhe të drejtat e njeriut, thotë se hulumtimi dhe dokumentimi i humbjeve njerëzore kërkon shumë përpjekje.
“Ka një mungesë serioze të të dhënave të luftës dhe gjithashtu ka mungesë serioze të iniciativave të shtetit për dokumentimin e krimeve të kryera”, thotë Koliqi.
“Si pasojë e kësaj, politikanët kosovarë luajnë me numra. Loja me numra është e rrezikshme për shkak të mungesës së të dhënave të viktimave, si: masakrat, dhunimet e grave dhe vrasja e fëmijëve”, thotë Koliqi.
“E vërteta e plotë tregohet vetëm kur ke bazë në evidencë dhe dokumentim. Shoqëria civile ka kontribuar në këtë çështje, por nevojitet që të dhënat për këtë çështje të jenë të plota dhe zyrtare”, thotë ai.
Koalicioni KOMRA, një aleancë e OJQ-ve në vendet që dolën nga shpërbërja e Jugosllavisë, vitin e kaluar publikoi një hartë që dokumenton viktimat e luftës në ish-Jugosllavi dhe ofron të dhëna për rreth 130,000 persona që u vranë ose u zhdukën në konflikte të ndryshme.
Ky koalicion rajonal, që synon të krijojë një komision të së vërtetës për të vërtetuar faktet e plota për luftërat në ish-Jugosllavi, po punon për krijimin e listës së parë të plotë të të gjithë të vrarëve në konfliktet ballkanike, nga viti 1991 deri në vitin 2001. /Erëza Ademi/
Ky shkrim është produkt i trajnimit online për raportim gazetaresk në fushën e Ballafaqimit me të Kaluarën (BmK) /Gazetaria e sensibilizuar për konflikte, implementuar nga forumZFD-Programi në Kosovë. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim janë përgjegjësi e autorit dhe ato në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e forumZFD.