Viktimat e Kullës Grenfell mund të mos identifikohen kurrë të gjitha.
Policia londineze paralajmëron se kjo mund të jetë një detyrë e pamundur për të. 17 të vdekur është bilanci zyrtar i tragjedisë, por të zhdukurit nga zjarri që shkrumboi ndërtesën shumëkatëshe në perëndim të kryeqytetit britanik, janë me dhjetëra e mes tyre ka edhe familje të tëra.
Kryeministrja Theresa May, e përballur me një rrebesh kritikash për faktin se nuk takoi të mbijetuarit e fatkeqësisë gjatë vizitës në vendngjarje, kërkon hetim të plotë e këmbëngul se viktimat meritojnë përgjigje. Deri tani janë identifikuar vetëm 6 prej të vdekurve. Autoritetet po shpresojnë që numri i jetëve të humbura të mos mbërrijë në 100 apo më shumë.
Vëllai i personit të parë të identifikuar si viktimë e ferrit të flakëve, refugjati sirian Mohammed Al Haj Ali, i cili në Londër studionte për inxhinieri, tregoi për Reuters momentet e tmerrit të përjetuar sidomos kur kuptoi se njeriu i tij i dashur kishte mbetur prapa. Omar Al Haj Ali tregon se si atë e nxorrën, por të vëllain jo. Me 23-vjeçarin kishte arritur të komunikonte në telefon.
“U ktheva të shikoja, por nuk e pashë tim vëlla. Kërkoja të dija ku është e askush nuk më përgjigjej. E thirra me të madhe, pastaj folëm në telefon. Më tha që është ende brenda apartamentit. I bërtita: përse nuk dole? Na nxorrën jashtë, mendova se ishe me ne. Por, ai më tha se nuk e morën. E lanë aty. E lanë dhe ikën pa të”, tregon i mbijetuari, transmeton tch.
Në kërkimin e arsyes përse kulla u dogj aq shpejt, vëmendja po spostohet gjithmonë e më shumë tek shtresa e përdorur për mbulimin e strukturës metalike. Ekspertët janë të mendimit se mund të ishte përdorur një lloj tjetër materiali, shumë më rezistent ndaj zjarrit. Kjo ka nxitur thirrjet për verifikimin e godinave të tjera të cilat mund të jenë gjithashtu të rrezikuara nga i njëjti problem.