Telegrafi

Viktimat e dhunës seksuale kërkojnë mbështetje institucionale (Video)

Viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit presin që Qeveria e re të merret më seriozisht me njohjen e statusit të tyre dhe ndarjen e pensionit që, të paktën, të kenë mundësi që të marrin trajtim mjekësor dhe t`i mbulojnë shpenzimet e udhëtimit.

Televizioni publik i Kosovës sjell rrëfimin rrëqethës të një gruaje, e cila 18 vjet më parë u kthye nga SHBA-ja në Kosovë që bashkëshorti i saj t`i dalë në mbrojtje atdheut.

Ajo tregon tmerrin që përjetoi, i cili edhe sot po e ngulfat.

Kjo grua shqiptare u kthye nga Amerika me familje që bashkëshorti i saj të bëhej pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, përtej kontributit të bashkëshortit, kësaj gruaje iu ndal buzëqeshja nga paramilitarët e ushtarët serbë e cila u dhunua brutalisht, raporton RTK.

Ajo sot vuan pasojat e asaj dite të kobshme për të, dhe mbi 50 gra të tjera që po largoheshin nga shtëpitë e tyre me dhunë.

Edhe pse gjeti mbështetjen nga bashkëshorti, vjehrra dhe familja e gjerë, ajo disa herë tentoi t`i jepte fund jetës.

Ajo rrëfen se po e ngulfat tmerri i përjetuar në gushtin e 1998-s. Ajo kërkon që Qeveria e re e cila pritet të formohet, që ta marrë me seriozitet trajtimin edhe të kësaj kategorie.

Edhe Qendra e të Mbijetuarave të Torturës, kërkon që sa më shpejt t`i njihet statusi edhe kësaj kategorie e cila deri më tash vetëm në këtë qendër ka gjetur derën hapur. Sipas zyrtarëve të kësaj qendre, të mbijetuarat nga dhunimet e kryera nga paramilitarët kanë nevojë për mbështetje institucionale dhe të shoqërisë.

Në videon më poshtë mund ta ndiqni rrëfimin e gruas që përjetoi dhunën brutale nga ushtarët serbë: