Qendra e Mjekësisë Familjare numër 4 në Prishtinë në rrugën “Xhemajl Ibishi” prej dje është duke funksionuar si qendër testimi me teste të shpejta antigjenike.
Bashkë me ambulanten në Qendrën e Studentëve te mensa janë dy qendrat e testimit të shpejtë në kryeqytet. Nëse rezultatet e testimit dalin për dhjetë minuta, pritjet për të bërë testin janë pak më të gjata, deri në gjysmë ore.
Qytetarët që ishin gjatë ditës së sotme në këtë qendër ishin të kënaqur me procesin ndërsa ftuan të gjithë ata që dyshohen ë testohen.
Qytetari, Nehbi Dumolli, tregon për KosovaPress, se iu desh të priste 30 minuta për të bërë testin.
“Jo (nuk prita shumë), të themi gjysmë ore, sot nuk ka pasur shumë 12-13 persona para meje. Ka pasur diçka më shumë por gjithçka ka shkuar në rregull. Patjetër duhet gjithsesi duhet të testohen të gjithë njerëzit që të mos i ngjitet kjo sëmundje dhe të zhduket njëherë dhe përgjithmonë. Mos të hezitojnë të vijnë të gjithë dhe të testohen”, tha ai
Të njëjtën e thotë edhe Agush Gërguri, një qytetar që zgjodhi të testohet para se të marrë vaksinën e tretë.
“Kemi ardhur që gjysmë ore, ka pasur kallaballëk unë isha i fundit dhe tash e bëra testin dhe po e pres rezultatin, për 10 minuta. Vetëm i kam marrë të dy vaksinat dhe tash po pres rezultatin a te marr të tretën a po jo. Po duhet të ketë por prapë (qendra testimi) po gjendemi diqysh”, thotë ai
Testimet në Qendrën e Mjekësisë Familje, nr 4, në Prishtinë mund të bëhen çdo ditë të javës prej orës 08:00 deri në ora 16:00.