Telegrafi

Vijon prej 10 ditësh aktive vatra e zjarrit në Malin e Gjallicës, digjen 10 hektarë me pisha

Vijojnë të jenë aktive edhe pas 10 ditësh vatrat e zjarrit në malin e Gjallicës në Kukës. Deri më tani, të paktën 10 hektarë me pisha të larta e bimësi janë shkrumbuar.

Sipërfaqja e djegur është zgjeruar pavarësisht ndërhyrjes me mjete rrethanore nga punonjësit e institucioneve, raporton A2 CNN.

Ekipi zjarrfikës, zonat e mbrojtura, drejtoria e pyjeve në bashkëpunim me njëri-tjetrin, po vijojnë punën për izolimin e vatrës së zjarrit në malin e Gjallicës, vatër e rënë në datën 25 korrik.

Pavarësisht përpjekjeve me mjete rrethanore të punonjësve dhe banorëve të fshatit Shtiqën flakët nuk janë vënë në kontroll.

Aktualisht, zjarri ka përfshirë zonën e lartë me pisha halore të Gjallicës, duke dëmtuar një ndër pjesët më të bukura të saj.

Terreni i thepisur dhe lartësia e madhe, prej 2100 metrash, e bën të pamundur ndërhyrja e automjeteve. Për këtë arsye është vënë në punë një helikopter ushtarak i cili po kryen operacionin e hedhjes së ujit mbi vatrën e zjarrit. /Telegrafi/