Site icon Telegrafi

Vijon gjykimi për emërimin e drejtorëve të shkollave nga Merko në Strugë, do të dëshmojë edhe Jeton Shaqiri

Prokurorët edhe në gjykimin e sotëm mbrojtën tezën së në shkollat fillore të Strugës dhe të rajonit, drejtorët janë emëruar në mënyrë joligjore nga ana e kreut të Komunës, Ramiz Merko.

Kumrisha Hani, sekretare në shkollën Zini Hani në Veleshtë, në cilësinë e dëshmitares, tha se ish drejtoresha e përkohshme, Egzona Shei, para se të emërohej në atë post për 3 vjet e gjysmë ka punuar si mësuese e frëngjishtes, por pa përfunduar shkollimin.

“Për shkak se nuk kishte staf të përshtatshëm, ne e morëm atë me arsim të mesëm. Kur u bë u.d. drejtor, unë nënshkrova vërtetimin se kishte pesë vjet përvojë pune nën presionin e Egzona Sheit. Por, unë dhe familja ime ishim nën presion të vazhdueshëm. E kam denoncuar dy herë në polici, dhe në inspektoratin e punës. Nuk më linte të punoja, nuk më lejonte të publikoj shpallje publike për punësim dhe ma merrte e kontrollonte telefonin tim celular”, tha Kumrisha Hani-dëshmitare.

Për shkak të mungesës së stafit në këtë shkollë, ka pasur edhe raste të tjera të punësimit me arsim të mesëm. Inspektorja e arsimit Violeta Xhuteska tha se pas një parashtrese nga 13 mësues, ajo kreu mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektimi.

“Erdhëm në përfundim se personi i emëruar për ushtrues detyre drejtor nuk i plotëson kushtet jo vetëm për mësimdhënës, por edhe për drejtor, gjithashtu kryetari i komunës nuk ka vepruar në pajtim me ligjin, gjegjësisht brenda pesë ditëve nuk ka marrë vendim që bordi i shkollës të publikojë shpallje për zgjedhjen e drejtorit”, theksoi Violeta xhuteska – Inspektore e Arsimit.

Prokuroria Publike dyshon se Shei ka bashkangjitur 3 dokumente të falsifikuara të cilat i ka përdorur për dhënien e provimit profesional në Qendrën Shtetërore të Provimeve. Propozimi i prokurorisë kundër Merkos u dorëzua edhe për shkak të emërimit të u.d. drejtores në Shkollën Fillore Murat Llabunishti, në Llabunisht, e cila nuk plotëson kushtet e përcaktuara me ligj.

Situatë është e ngjashme edhe në shkollën në fshatin Podgorc. Por avokati i Merkos, Igor Petkovski, tha se edhe në seancën e sotme doli në pah se Merko nuk ka kryer vepër penale.

Ish ministri i Arsimit Jeton Shaqiri do të thirret në seancën e ardhshme si dëshmitar.

Exit mobile version