Policia dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar akoma janë duke punuar në zbulimin e strukturës e cila dyshohet të jetë e përfshirë në hapjen e tunelit brenda burgut të sigurisë së lartë në Idrizovë të Shkupit. Skemat e arratisjes, periudha e punimeve të kryera dhe të dënuarit e përfshirë janë shtyllat mbi të cilat bazohet pista e hetimeve.
Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar ka zhvilluar disa biseda informative, por jozyrtarisht mësohet se hetimi në këtë fazë akoma është në stadin e njohurive që dikush mund t’i ketë. Në skemën e organit të akuzës përfshihen strukturat udhëheqëse të burgut, policia gjyqësore dhe disa të burgosur.
Alsat ditë më parë raportoi ekskluzivisht për mënyrën se si është zbuluar tuneli në burgun e Idrizovës. Disa persona për një periudhë më të gjatë kohore kanë punuar në hapjen e tunelit të gjatë prej 47 metrave.
Një nga indikacionet që ka çuar deri në zbulimin e tij është edhe fakti se pas observimit që i kanë bërë policia dhe shërbimet e sigurisë zonës së dyshuar, për 20 ditë askush nuk ka lëvizur në zonën ku janë kryer gërmimet.
Informacionet janë marrë mes datave 15 dhe 17 shkurt, ndërsa një muaj ka zgjatur procedura e tenderimit të kompanisë që do të kryente punimet në objektet e vjetra dhe shëtitoren ku dyshohej se ekzistonte tuneli për arrati.
Më 21 mars falë informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe gjendjes faktike në objektet e vjetra me ndërhyrje të reja është konstatuar ekzistimi i tunelit. Referuar organizimit të brendshëm të burgut, policia dyshon në 8 persona të përfshirë të cilët janë të dënuar për vepra të rënda kriminal nga 10 vite deri në burg të përjetshëm.