Site icon Telegrafi

Vijnë edhe Nikçi e Basha!

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki është në vazhdën e ndërtimit të ekipit ideal, për t’u përballur me Haitin më 5 mars, në miqësoren e parë pas lejes që e mori nga FIFA në muajin janar. Ditëve të fundit spekulohet për shumë emra, të cilët mund të zbresin në stadiumin ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, por ende nuk ka asgjë zyrtare. Listës së futbollistëve që pritet të jenë pjesë e miqësores historike pritet të jenë edhe dy lojtarët e njohur kosovarë, Adrian Nikçi dhe Vullnet Basha.

“Nikçi dhe Basha e kanë marrë ftesën dhe mund të jenë prezentë në ndeshjen e 5 marsit”, thotë për ‘Sport Plus’ një burim i afërt me përzgjedhësin Bunjaki.

Gjithashtu, ky burim e ka konfirmuar edhe pjesëmarrjen e Kristian Nushit në këtë takim. Mesfushori Nikçi është 24 vjeçar dhe luan në ekipin zviceran, Thun, ku është huazuar nga Hannoveri. Në të kaluarën, ai ishte pjesë e Zurichut, me të cilin ka bërë përvojë të madhe, duke luajtur edhe në Ligën e Kampionëve. Ndërsa, Basha është 23 vjeç dhe luan në mesfushë dhe në mbrojtje. Ai është pjesë e Sionit, kurse në ët kaluarën ka luajtur edhe me Lausanne-Sport, Grasshopper, e Neuchatel.

Beg Ferati, në mes Zvicrës e Kosovës

Ndërkaq, Beg Ferati duket ende i pavendosur. Burimi ka treguar se qendërmbrojtësi i FC Sion e ka marrë ftesën nga Bunjaki, por nuk ka vendosur ende nëse do ta pranojë apo jo këtë ftesë. “Ferati e ka marrë ftesën dhe po mendon. Duket se ai shpreson ende tek Zvicra, pjesë e së cilës ishte për një periudhë të shkurtër. Por, atij i takon të vendos përfundimisht nëse do të jetë në Kosovë më 5 mars apo jo”, vazhdoi ky burim. 27 vjeçari nga Prishtina ka pasaportë zvicerane. Ai në të kaluarën ka luajtur edhe në Basel, Concordia e Freiburg.

Portierët

Edhe sa u përket portierëve, përzgjedhësi Bunjaki i ka idetë e qarta. Sipas burimit të gazetës, portieri i Prishtinës, Kushtrim Mushica, është njëri prej futbollistëve të ftuar për ndeshje me Haitin. Gjithashtu, ai e përmendi edhe portierin e Luganos, Pajtim Badalli, që pritet të jetë njëri prej portierëve të pranishëm në Mitrovicë. Edhe vëllai i tij, Durim Badalli, po ashtu portier, është në planet e Kosovës për të ardhmen. Ai aktualisht mbron në Teutën e Durrësit. Sa i përket Samir Ujkanit, ende asgjë nuk është vendosur. “Edhe Samiri është në opsion. Ai është duke menduar dhe shumë shpejtë do të vendosë. Mund të ndodh që edhe Ujkani të jetë në këtë ndeshje”, sqaron ky burim. Ndërkohë, menaxheri i kombëtares shqiptare, Alban Bushi, ka konfirmuar se Ujkani ka zgjedhur Kosovën. Sa u përket futbollistëve nga futbolli kosovar, burimi i gazetës konfirmon se pritet të jenë tre futbollistë. Dy prej tyre sipas të gjitha gjasave janë Kushtrim Mushica e Mentor Zhdrella.

Edhe tre futbollistë nga Anglia

Ndër futbollistët që pritet të zbarkojnë në Kosovë në fillim të marsit, pritet të jenë edhe tre lojtarë që luajnë në Angli. Bëhet fjalë për Frederik Veselin, që luan në ekipin Bury, qendër mbrojtës dhe mbrojtës krahu, 21 vjeç, me një të kaluar në Manchester City dhe Manchester United. Pastaj Bersant Celina, mesfushor ofanziv i Manchester Cityt, 17 vjeç, që luan për ekipin e të rinjve. Dhe në fund, Sinan Bytyqi. Mesfushori ofanziv, 18 vjeç, po ashtu luan për Cityn dhe mund të jetë në dispozicion të Bunjakit muajin që vjen.

Gashi e Kukeli vijnë pas pranimit në FIFA

Shkëlzen Gashi dhe Burim Kukeli nuk do të jenë pjesë e miqësores së parë të Përfaqësueses së Kosovës, pasi e mori lejen nga FIFA, ndaj Haitit. Të dy futbollistët kanë preferuar të vazhdojnë me Kombëtaren shqiptare, të paktën deri në pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) në Federatën Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA) me të drejta të plota. “Gashi dhe Kukeli vendosën të vazhdojnë me Shqipërinë. Ata nuk duan të vijnë për miqësore dhe mund të ndërrojnë mendjen vetëm pas pranimit të Kosovës në FIFA”, tregon ky burim i gazetës.

Në fund, ai njoftoi se edhe futbollisti ofanziv i Chiasos, në Zvicër, Florian Berisha, në të ardhmen jo fort të largët mund të jetë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës. Po ashtu, edhe futbollistët e shumë përmendur, sulmuesi i Kaiserslauternit, Albert Bunjaku dhe mesfushori i Panathinaikosit, Emir Bajrami, pritet t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së Kosovës. /SportPlus/Telegrafi/ 

Exit mobile version