Në orët e hershme të mëngjesit të së dielës është thyer dhe më pas i është vënë flaka Shtëpisë së Shëndetit në Lagjen e Minatorëve, në Veri të Mitrovicës.
Lajmin për këtë akt vandal e ka bërë të ditur nënkryetari i Mitrovicës së Jugut, Faruk Mujka, përmes një postimi në Facebook.
“Pas tentim vjedhjeje i është futur zjarri objektit ku fatmirësisht ky zjarr është izoluar para se ta përfshij tërë objektin”, ka shkruar Mujka, duke thënë se “Komuna e Mitrovicës dënon ashpër thyerjen dhe zjarrvënien në Shtëpinë e Shëndetit në Kodrën e Minatorëve”
Ai ka thënë se kjo edhe njëherë ka dëshmuar brishtësinë e situatës së sigurisë në lagjen veriore ku ka të banuar shqiptarë.
“Kjo edhe një herë dëshmon brishtësinë e situatës së sigurisë në lagjet veriore të banuara me shqiptarë. Ky rast duket edhe më i rëndë kur dihet se kohët e fundit në këtë objekt janë bërë përmirësime të dukshme si në shërbime e po ashtu edhe në kushtet e punës”, ka thënë nënkryetari i Komunës së Mitrovicës Faruk Mujka.
“Objekti si objekt nuk është djeg, nuk ka dëme në objekt ambulant është e vogël dhe është në kuadër të shtëpsië së shëndetit në Mitrovicën e Jugut e financuar për banorët në “Kodrën e Minatorëve”, ka thënë për Insajderin, Besim Hoti – zëvendësdrejtor i policisë për rajonin e Mitrovicës.
Hoti ka thënë se është djegur vetëm një pjesë e ambulantes, nuk ka dëme dhe struktura e objektit nuk është dëmtuar.
Ai ka treguar se shkaktari i zjarrit ende nuk dihet dhe nuk ka asnjë person të lënduar.
“Shkaktarin e zjarrit ende nuk e dimë ekspertët janë duke bërë punën e tyre, për të shikuar nëse burimi i zjarrit ka qenë nga brenda apo nga jashtë, persona të lënduar nuk ka, zjarri nuk ka arrit të shpërndahet sepse zjarrfikësit kanë ndërhyrë menjëherë”, ka shpjeguar Hoti.
Ky kat vjen vetëm disa orë pasi në fshatin Llabjan të komunës së Novobërdës, një serb ka demoluar shkollën e fshatit, ambulancën, xhaminë dhe disa shtëpi private. /Telegrafi/