Site icon Telegrafi

Vihet gurthemeli i QKMF-së në Komunën e Ferizajt në vlerë prej 2.5 milion euro

Ministri i Shëndetësisë,  Arben Vitia bashkë me kryetarin e Komunës së Ferizajt,  Agim Aliu, morën pjesë në fillimin e punimeve për ndërtimin e objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Me këtë rast, ministri Vitia tha se vështirësitë dhe pengesat të cilat e kanë karakterizuar këtë projekt të rëndësishëm, janë tejkaluar falë vullnetit dhe angazhimit të të gjithëve duke dëshmuar se mbi të gjitha është i rëndësishëm interesi i qytetarëve.

“Projekti i ri i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare do të jetë një hapësirë moderne, 4.930m². Vlera e këtij projekti është 2.5 milion euro, ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka ndarë 2 milion e 250 mijë euro, me qëllim që ky projekt jetik për qytetarët e Komunës së Ferizajt të jetë në shërbimin e tyre sa më parë. Shfrytëzoj rastin të falënderoj kryetarin e Komunës së Ferizajt,  Agim Aliu dhe bashkëpunëtorët e tij për bashkëpunimin dhe efikasitetin e treguar me qëllim të ndërtimit të një prej qendrave më moderne të Mjekësisë Familjare në vend”, tha ministri Vitia.

 

Kryetari i Komunës së Ferizajt,  Agim Aliu e falënderoi ministrin Vitia duke thënë “së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë sigurojmë hapësire e cila do t’i akomodojë të gjitha nevojat dhe kërkesat në radhë të parë të personelit, e gjitha kjo për ofruar shërbime cilësore për qytetarët”.

Me Qendrën e re Kryesore të Mjekësisë familjare do të shtohen shërbimet për qytetarët si dhe do të fuqizohen kapacitetet e Kujdesit Parësor Shëndetësor. /Telegrafi/

Exit mobile version