Site icon Telegrafi

Vietnami shënon temperaturën më të lartë ndonjëherë

Vietnami ka regjistruar temperaturën më të lartë ndonjëherë në këtë vend, pak më shumë se 44C (111F) – me ekspertët që parashikojnë se së shpejti do të tejkalohet për shkak të ndryshimeve klimatike.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, rekordi u vendos në provincën veriore të Thanh Hoa, ku zyrtarët paralajmëruan njerëzit të qëndrojnë brenda në kohërat më të nxehta të ditës.

Edhe vendet e tjera të rajonit kanë përjetuar mot jashtëzakonisht të nxehtë.

Veç kësaj, edhe Tajlanda raportoi një rekord të barabartë me 44.6 gradë Celsius në provincën e saj perëndimore Mak.

Ndërkohë mediat e Mianmarit raportuan se një qytet në lindje kishte regjistruar 43.8C, temperatura më e lartë për një dekadë.

Të dy vendet përjetojnë një periudhë të nxehtë në këtë kohë, por intensiteti i nxehtësisë ka thyer rekordet e mëparshme.

Në Hanoi, eksperti i ndryshimeve klimatike Nguyen Ngoc Huy i tha AFP se rekordi i ri i Vietnamit ishte “shqetësues” duke pasur parasysh “kontekstin e ndryshimit të klimës dhe ngrohjes globale”.

Si pasojë, në qytetin qendror të Vietnamit, Danang, fermeri Nguyen Thi Lan i tha AFP se nxehtësia po i detyronte punëtorët të fillonin më herët se kurrë dhe të përfundonin deri në orën 10:00.

Temperatura e mëparshme rekord e Vietnamit prej 43.4 gradë Celsius u vendos në provincën qendrore Ha Tinh katër vjet më parë.

Bota tashmë është ngrohur me rreth 1.1C që nga fillimi i epokës industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse qeveritë nuk bëjnë shkurtime të mëdha të emetimeve. /Telegrafi/

Exit mobile version