Telegrafi

Vidhen pesë vepra të artit modern në Paris

Policia dhe prokurorët thonë se veprat e artit u zhdukën sot në mëngjes nga Muzeu i Parisit për Artin Modern. Policët dhe prokurorët francezë kanë arritur në përfundimin se mund të ketë qenë një njeri i vetëm që ka kryer vjedhjen e veprave të artit. Në videot e sigurisë është arritur të identifikohet vetëm një njeri i maskuar që largohet me një pikturë në duar.

Vjedhja është kryer mbrëmë gjatë natës, pasi sot në mëngjes pikturat nuk u gjetën në sektorin që ishin të ekspozuara. Të tre rojet e sigurisë që mbikëqyrin muzeun gjatë natës, nuk kanë parë asgjë të veçantë dhe të dyshimtë gjatë turnit të tyre të punës.

Vlera e pikturave të vjedhura mendohet se arrin shifrën e 123 milion dollarëve, ku më e shtrenjta është një pikturë e Picassos që vlen 28 milion dollarë. Në vjedhje të kësaj natyre, kërkohet bashkëpunimi i Interpolit për të rënë në gjurmët e veprave të vjedhura. /VoA/