Site icon Telegrafi

Videoja vrau yllin e Hollivudit: A do të dominojnë vlogerët në botën e filmit?

Regjisori i filmit të vlerësuar, “Eighth Grade” (Klasa e tetë), është zbuluar në mediat sociale – si i fundit nga kohorta e re e kinematografisë. Tekstin e gazetarit Steve Rose, Telegrafi ua sjell më poshtë.

Le t’i numërojë “Klasa e tetë” mënyrat me të cilat mediat sociale e kanë shtrembëruar jetën e adoleshentëve deri në mosnjohje. Insta-zilia, personazhet artificiale të vlogjeve, kujdesi i tepruar për selfie, etiketa Snapchat – marrin më shumë kohë se angazhimi me cilindo njeri, dhe në fund gjithçka bëhet në mënyrë të gabuar. Por, pos marrëdhënieve shoqërore të shkollës së mesme, filmi gjithashtu tregon se si media sociale po e ndryshon filmin, dhe atë jo domosdoshmërisht për të keq.

Vlogerët, instragamerët dhe jutuberët më të njohur marrin role të parëndësishme, në filmat që nuk kanë efekt të madh. Por, “Klasa e tetë” paraqet rastin e parë që një nga këto ngritje është bërë në mënyrë të duhur. Bo Burnham, skenaristi dhe regjisori i filmit, u bë i famshëm në internet që në vitin 2006, kur nisi të ngarkonte këngë komike, të performuara në dhomën e tij të gjumit. Hitet në YouTube u përkthyen në një marrëveshje me kanalin Comedy Central, me agjentë, me emisione të komedisë standup dhe role kryesore. Tashmë Burnham ka edhe një film. Dhe, është film i mirë, i përshtatur me presionet e heroinës 13-vjeçare (Elsie Fisher) së cilës i mungon shkathtësia verbale e Burnhamit dhe njohja e internetit.

Ndërkohë, rruga e shtruar nga YouTube – prej dhomës së gjumit e deri te filmi – ka marrë shtytje masive nga hiç më pak se Steven Spielbergu. Kohët e fundit ai njoftoi se roli i Marias në versionin e tij të ri të filmit “West Side Story” (Rrëfimet nga ana perëndimore) kishte shkuar te… Rachel Zegler? Po pra! Zegler është 17-vjeçare, eksperienca e së cilës deri më tani ka qenë shfaqja shkollore e Shrekut. Por, Zegler ka mijëra ndjekës në kanalin e saj në YouTube, ku interpretonte hite të popit dhe të shfaqjeve muzikore.

Performimi para kamerës është pjesë e përditshme e këtij brezi, dhe një kanal në YouTube është shfaqje e përhershme – e redaktuar, e kuruar dhe subjekt i kërkesave të mediumit i cili, që prej fillimit, donte të ishte një shfaqje autentike për talentet e papërpunuara. Praktikat e vjetra të Hollivodit të “testit të ekranit”, “audicionit” apo “ndjekësit të talenteve” duken se janë të panevojshme në këtë fushë të re. Kjo nënkupton fundin e nivelit të tërë të ndërmjetësve, për të mos përmendur mjetin tjetër famëkeq të shfrytëzimit në industrinë filmike, të “rolit në shtrat”.

Por, gjërat nuk shkojnë gjithmonë mirë. Merreni si shembull aktorin Kian Lawley (me 3.4 milionë ndjekës), që shtroi rrugën e tij drejt filmit si personalitet në YouTube. Ai fiton rolin e dashnorit në filmin me tematikë nga racizmi, “The Hate U Give” (Urrejtjen që e dhe). Por, pastaj doli në sipërfaqe videoja ku Lawley bënte shaka raciste. Ai u hoq nga filmi dhe u pushua nga agjentët e tij. YouTube jep po edhe merr.

Në mënyrën më të mirë, “Klasa e tetë” flet për ndarjen e njëjtë mes identitetit real dhe atij online. Në vend që të shfrytëzojnë famën në internet si kolegët e tij, Bo Burnham zgjodhi ta analizojë atë. Dhe, është personi i duhur për këtë punë. /Telegrafi/

Exit mobile version