Departamenti i Policisë së Butlerit ka publikuar një video prej më shumë se dy minutash që tregon oficerët duke iu përgjigjur skenave dramatike të Thomas Crooks duke hapur zjarr ndaj ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Bëhet e ditur se pamjet e reja të publikuara tregojnë momentet para atentatit ndaj Trumpit në një tubim në Pensilvani më 13 korrik.
Në klip tregohet momenti kur një oficer policie vë re personin e armatosur në çati, disa sekonda përpara se ai të tentonte ta vriste ish-presidentin.
Oficeri nxitet nga një oficer tjetër për të hipur në ndërtesë, por shpejt bie.
Ai më pas vrapon për të lajmëruar oficerët e tjerë se e pa personin e armatosur dhe drejtohet në veturën e tij për të marrë armën, sipas raporteve të policisë.
Siç raportohet, 39 sekonda më vonë Crooks hap zjarr në tubim, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Të shtënat i goditën veshin ish-presidentit, vranë zjarrfikësin vullnetar dhe babanë e dy fëmijëve Corey Comperatore dhe plagosën dy pjesëmarrës të tjerë.
“Ai u kthye nga unë”, dëgjohet duke bërtitur oficeri që u përpoq të ngjitej në çati.
Brenda pak sekondash, më shumë oficerë të zbatimit të ligjit nga njësi të ndryshme shihen duke iu afruar ndërtesës.
Më vonë në pamje, oficerët shihen duke qëndruar rreth trupit të vdekur të Crooks, i cili u qëllua për vdekje nga policia.
Në një video tjetër të siguruar nga Wall Street Journal (WSJ), një oficer thotë se ai i kishte kërkuar Shërbimit Sekret ditë më parë të vendoste njerëz në çatinë nga ku Crooks qëlloi Trumpin.
“Unë u thashë atyre se duhet të vendosin djem atje”, tha oficeri.
Ndryshe, Shërbimi Sekret po shqyrton të gjitha pamjet dhe FBI dhe një panel dypartiak i Dhomës së Përfaqësuesve po hetojnë incidentin. /Telegrafi/