Grumbuj të pafund njerëzish që derdhin lotë, këputen nga pikëllimi para kamerave sepse diktatori ka vdekur, ngjyra të ndezura e forma kubiste mbi fasada të rrënuara, një vajzë që i jep ngjyrë fotografisë bardhezi të nënës… janë disa nga imazhet e Festivalit të parë të Videoartit nga Shqipëria, të organizuar në Vjenë në muzeun Belvedere 21.
Për dy netë, 13 videoartistë shqiptarë i prezantuan publikut austriak art multimedial jo vetëm për të njohur skenën e artit të tyre, por edhe për të kuptuar Shqipërinë. Një pjesë e tyre kanë dalë prej vitesh nga gjeografia shqiptare e kontribuon në artin bashkëkohor evropian, si Anri Sala apo Adrian Paci, të tjerët lëvizin lirshëm në skenën perëndimore të artit, kanë studiuar jashtë Shqipërisë duke mbledhur përvoja e duke eksperimentuar me trashëgiminë shqiptare dhe eksperiencën e re.
“Akoma jemi një vend i vogël, një vend i mënjanuar disi nga kanalet e mëdha të diskutimit kulturor e artistik, por nuk jemi të përjashtuar. Edhe ky festival është pjesë e këtyre përpjekjeve për të krijuar një dialog mes skenës së artit shqiptar dhe skenës botërore, por këto janë procese që duhen mbajtur gjallë vazhdimisht”, thotë Paci.
Për artistin shqiptar, trashëgimia e diktaturës është pjesë e imagjinatës artistike. Një e kaluar sado e rëndë kur transformohet në art mbetet gjithmonë aktuale si kujtesë – si në videon artistike të Adrian Pacit “Interregnum”, për deformimin e individit në diktaturë; në ballafaqimin e videoartistit Driant Zeneli me historinë, veten dhe babanë, që për më shumë se 20 vite ka pikturuar diktatorin, Enver Hoxha; apo në paraqitjen vizuale të historive të viktimave të diktaturës nga grupi artistik “Memo”, me tekste të shkruara nga shkrimtari Agron Tufa.
Viktimat e diktaturës nuk flasin dot më sot, por historitë e tyre rrëfehen nga të tjerët në projektin “Memo”. Zëri i tyre i dhimbjes është zëri i artistëve të sotëm që kanë fatin ta jetojnë lirinë, prandaj edhe nuk duhet të harrojnë. Një përmendore e kujtesës mbi diktaturën që mund ta ngrejë si të tillë vetëm arti. Pikërisht për përballjen me këtë traumë, sipas artistit Leonard Qylafi, nevojiten instrumente të ndryshme multimediale. Nuk mjafton fjala, vizualiteti, por duhet edhe tingulli, edhe thithja e ambientit përreth, edhe dokumentimi. Tingulli i bashkuar me vizualen jep efektin e fortë të videos së tij “Nailsong”, ku një dorë e trazuar vizaton rrathë të çrregullt koncentrikë në praninë e një zëri paralajmërues.
Shumica e videoartisteve vijnë nga bota e penelit. Violana Murataj e zbuloi videoartin kur erdhi për herë të parë një kamera në shtëpi. “U ndjeva kaq pranë këtij mediumi, çdo ditë e më shumë zbuloja diçka të re.” Pas studimeve të videoartit në Nju Jork ajo u kthye në Tiranë, jo thjesht për shkak të diellit, por të klimës shqiptare. “Aq më tepër Shqipëria të ofron mjaft mundësi për të trajtuar tematika të artit, qofshin këto sociale, familjare…”!
Elsa Martini, që jeton prej 10 vitesh në Vjenë, kthen në art jo vetëm kujtesën e marrë nga vendlindja, por edhe përvojën në vend të huaj. Shqipëria dhe Vjena janë për të “interferime” që pasurojnë njëra-tjetrën. “Më është dashur të punoj me asimilimin e kulturës këtu, por edhe riparjen e historisë sime nga një pikë tjetër vështrimi. Më është dashur t’i ristrukturoj mendimet, emocionet, të gjithë jetën time.” Në punimin e saj “Executing love” ajo përpunon përvojën e emigracionit.
Ermela Teli që prej tre vitesh jeton në Zvicër, u prezantua me punimin “A political care”, një video artistike mbi jetën e familjeve rome në periferi të shoqërisë në Shqipëri. Ajo e kupton artin si një nevojë të brendshme për të komunikuar edhe përtej mureve të Shqipërisë.
Videoartistet shqiptare, mes tyre edhe Donika Çina, Alketa Ramaj, Silva Agostini, sollën momente të tjera të shkurtra, herë pas here reflektime private, por të kaluara në sitën e artit ato sillnin një dimension tjetër, atë të marrëdhënieve njerëzore.
Anri Sala, artisti shqiptar mjaft i njohur, nuk ishte vetë në Vjenë, por me punimet e tij “Déjeuner avec Marubi” – titulli që mbante edhe festivali – dhe punimin e tij të njohur ndërkohë në galeritë botërore, “Dammi i colori”. Ngjyrat janë mënyrë për t’i ikur trishtimit të një “qyteti të vdekur”, siç rrëfen një zë në sfond, zëri i Edi Ramës, atëherë kryebashkiak i Tiranës që ndërmori aksionin e njohur të lyerjes së fasadave në Tiranë. Ndërsa kamera dokumenton ndryshimin e Tiranës, në sfond dëgjohet zhurma tipike e Tiranës.
Videoartisti që prezantoi Shqipërinë Bienalen e Venecias në vitin 2017, Leonard Qylafi, solli një këndvështrim tjetër. Ai sheh me syrin e artistit ndryshimin kaotik të Tiranës. Në një montazh fotografik dokumentohet hap pas hapi transformimi i peizazhit para dritares së artistit, imazhe që të bëjnë të kuptosh edhe anarkinë urbane që shoqëroi këto vite Tiranën.
Për Ergin Zaloshnjën, një artist i angazhuar politikisht, arti është “mjet për të kritikuar strukturat e pushtetit”. Punimi i tij, “Tha Last Hope” dokumentonte një projekt në afërsi të Liqenit Artificial. /DW/