Telegrafi

Video-konferencë për gripin A/H1N1

Në takim mori pjesë edhe ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, i cili i ka dhënë mbështetje një aktiviteti të këtillë të rëndësishëm.

Profesionistët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe të spitaleve rajonale, kanë dëgjuar nga ekspertë të angazhuar nga OBSH për përvojat e tyre në trajtimin klinik të rasteve të A H1N1.

Video-konferenca ka qenë një lidhje drejtpërdrejtë e Prishtinës me Danimarkën, Britaninë e Madhe dhe Italinë, gjatë të cilës klinicistët kanë këmbyer mes vete përvojat rreth trajtimit të rasteve të A H1N1, me theks të veçantë ordinimit të oksigjenit në rastet e gripit A/H1N1, terapisë me Tamiflu dhe me medikamente te tjera.

Shefi i Zyrës së OBSH-së në Kosovë, dr. Skënder Syla e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme këtë video-konferencë dhe ka theksuar se si konkluzion i saj është theksuar rëndësia e monitorimit të oksigjeno-terapisë dhe pulsoksimetrisë, pastaj mos rekomandimi i dhënies së kortizonikëve te rastet me A/H1N1 dhe infuzioneve.

Videoko-nferenca ishte një rast i mirë që klinicistët kosovarë të marrin përvojat nga vendet të cilat kanë pasur numër të madh të rasteve me A H1N1.

Gjatë ditës së sotme ndërkaq, Grupi punues për menaxhimin e pandemisë ka mbajtur takimin e rregullt në të cilin ka vlerësuar se situata rreth Gripit A H1N1 në Kosovës është relativisht e qetë, por shqetësuese megjithatë, dhe se po zbatohen me përpikëri masat që ka parashtruar Ministria e Shëndetësisë.

Grupi është njoftuar se deri tash në Kosovë janë konfirmuar 193 raste me A/H1N1 pozitiv dhe në klinikën Infektive po trajtohen disa pacientë me virusin A/H1N1, gjendja e të cilëve është stabile. /Telegrafi/