Komiteti Olimpik i Kosovës ka mbajtur video-konferencën e radhës me federatat sportive, të tretën që prej përhapjes së pandemisë Covid-19, e cili u zhvillua ‘online’ përmes platformës ‘Zoom’.
Video-konferencën e drejtoi presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, i cili falënderoi edhe një herë përfaqësuesit e federatave sportive për bashkëpunimin dhe gatishmërinë që bashkërisht të kalojnë sfidat që po e përcjellin sportin tonë pas Covid-19.
Gjatë takimit u diskutua për kërkesën e KOK-ut dhe federatave sportive drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë, që sa më parë të lejohet nisja e përgatitjeve dhe garave sportive nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë dhe Ministria e Shëndetësisë.
U kërkua nga Ministria për Kulturë, Rini e Sport, që mjetet e ndara për federatat nga kësti i parë (TM1) i memorandumeve, që një pjesë e tyre, varësisht nga shpenzimet e federatave, t’iu ndahen klubeve, dhe me këtë rast t’iu mundësohet arsyetimi në raportimin bërë MKRS-së.
Përfaqësuesit e federatave dhe KOK konstatuan se klubet kanë pasur shpenzime të mëdha gjatë kohës së pandemisë, për çka kërkojnë të gjenden forma të kompensimit – thuhet në njoftimin e KOK.
U kërkua që klubet dhe federatat të dërgojnë në KOK dhe MKRS humbjet faktike që mund të dëshmohen nga ana e klubeve dhe federatave, dhe pastaj të kërkohet mbështetje nga fondet e ndryshme të Qeverisë së Kosovës, Unionit Evropian etj.
Po ashtu, u kërkua që klubet të tregojnë masat që do të ndërmarrin në mbrojtje të sportistëve të tyre, numrin e sportistëve në një seancë, distanca midis tyre, higjiena, dezinfektimi i hapësirave ku stërvitin, zhveshtoret, korridoreve, etj., bazuar në eksperiencat e federatave përkatëse ndërkombëtare.
Takimi i ardhshëm pritet të mbahet pas dy javësh, varësisht edhe nga zhvillimet që do të pasojnë.