Site icon Telegrafi

Vidal i kritikon gjyqtarët për kartonët e kuq të Messit dhe Medelit

Në mbrëmjen e kaluar, përballja për vendin e tretë në Kupën e Amerikës kaloi me disa skandale, si jashtë po ashtu edhe brenda fushe.

Argjentina e mposhti Kilin për medaljen e bronztë në garën më të madhe në Amerikën Latine, mirëpo në minutën e 37-të ndodhi incidenti i parë.

Lionel Messi dhe Gary Medel, në minutën e 37-të u ndëshkuan me kartonë të kuq, pas përplasjes që kishin mes tyre.

Lexo po ashtu Messi ndëshkohet me karton të kuq në përballjen Argjentinë - Kili

Ylli i Barcelonës pas përfundimit të ndeshjes nuk ishte në podium që ta merrte medaljen e bronzte, derisa më pas kishte thënë se nuk dëshiron të jetë pjesë e korrupsionit.

Të njëjtin mendim e ka ndarë edhe bashkëlojtari i tij te skuadra katalunase, Arturo Vidal, duke thënë se përballja që e kishin ‘Les Albicelestes’ me Brazilin nuk ishte korrekte.

Lionel Messi duke u larguar nga ndeshja pas kartonit të kuq. (Foto: Alessandra Cabral/Getty Images/Guliver)

“Mendoj se gjërat shkuan kundër Argjentinës në përballjen ndaj Brazilit. Nuk ishte korrekte, ashtu siç na dërguan në një hotel që ishte dy orë larg stadiumit”, ka thënë mesfushori kilian për Marca.

Lexo po ashtu Messi nuk e pranoi medaljen dhe shpërtheu pas ndeshjes: Nuk e mora medaljen sepse nuk dua të bëhem pjesë e korrupsionit

“Gjyqtari i ndeshjes dëshironte të ishte më i rëndësishëm sesa ndeshja, si mund t’i largohesh nga fusha dy kapitenët e skuadrave për një shtyrje të vogël, nuk ka të bëjë asgjë me futboll”, ka shtuar më tej Vidal.

Brazili sot (7 korrik) do të përballet me Perunë në kuadër të finales së Kupës së Amerikës, e që shihet si favorit në letër. /Telegrafi/

Exit mobile version