Telegrafi

Veturat më hidrogjen çdo herë e më të kërkuara, Hyperion XP-1 me 2.000 kuaj-fuqi – me një rezervuar mund të përshkojë 1.600 kilometra

Ju kujtohet Hyperion XP-1, vetura me hidrogjen që pushtoi ballinat e gazetave në gusht të vitit 2020, falë specifikave mbresëlënëse?

Pra, modeli i parë i start-upit nga Kalifornia ka pasur debutimin në panairin e veturave në Los Angeles, dhe akoma duket sikur është prodhuar nga një kompani “jashtëtokësorësh”, transmeton Telegrafi.

Hyperion XP-1, është akoma në formën e prototipit dhe nuk ka ndryshime stilistike në krahasim me renderët që i kemi parë dy vite më parë.

Në fakt tani duket edhe më i çuditshëm, me proporcione jokonvencionale dhe linjat në stilin e Bugatti. Kjo veturë ka një rreze veprimi prej 1.635 kilometra me një rezervuar të mbushur plotë.

Sistemi i lëvizjes përfshin qelizat e karburantit me hidrogjen, superkondensatorë në vend të baterive, një ndërrues me tre shpejtësi dhe katër motorë elektrikë që bartin fuqinë në të katër rrotat.

Fuqia e kombinuar i ndihmon të prodhojë mbi 2 mijë kuaj-fuqi, që i mundëson që shpejtësinë nga 0-100 kilometra në orë ta arrijë për 2.2 sekonda, kurse shpejtësinë maksimale e ka të kufizuar në 356. /Telegrafi/