Telegrafi

Veturat e vjetra për katër ditë 150 mijë euro

Të dhënat e Doganave tregojnë se në katër ditët e para të korrikut janë zhdoganuar edhe 6 vetura të tjera të reja, për të cilat nuk është e obliguar të paguhet akcizë dhe dy vetura të vjetra 5 dhe 6 vjet, që edhe më parë kanë qenë të lejuara të importohen dhe për të cilat paguhet akcizë, shkruan Koha Ditore. “Të hyrat nga importi i veturave për këto katër ditët e para të korrikut janë rreth 150 mijë euro”, tha Stavileci, duke kalkuluar të hyrat nga akciza, Dogana dhe TVSH-ja për të gjitha veturat e importuara gjatë katër ditëve të para të hyrjes në fuqi të akcizës së re. Vetëm tatimi doganor për këto vetura ka qenë rreth 26 mijë euro.

Sipas të dhënave të Doganave, gjatë këtyre katër ditëve janë importuar më së shumti vetura të vjetra 13 vjet, 16 vetura. Të vjetra 12 vjet janë importuar 12 vetura, për të cilat akciza e re është 1000 euro, deri në 2000 kubikë.

Me ndryshimin e kësaj akcize Qeveria shpreson të inkasojë rreth 20 milionë euro. Vlera e përgjithshme e bazës doganore të këtyre veturave është vlerësuar të jetë rreth 250 mijë euro. Sipas vendimit të Qeverisë, për veturat me kilometrazh 00 nuk ka akcizë fare. Për veturat deri në 2.000 kubikë dhe deri në 8 vjet të vjetra, norma e tatimit të akcizës do të jetë 500 euro, ato 9 vjet – 700 euro, 10 vjet – 800 euro, 11 vjet – 900 euro, 12 vjet – 1.000 euro, ndërsa 13 vjet e vjetër do të paguajë akcizë prej 1.100 eurosh.

Veturat nga 2.001 kubikë deri në 3.000 do të kenë akcizë më të lartë. Deri në 8 vjet do të jenë 500 euro, 9 vjet 700 euro, 10 vjet 900 euro, 11 vjet 1.100, 12 vjet 1.300 dhe vetura 13 vjet mbi 2.001 kubikë do të ketë akcizë 1.500 euro. Për ato mbi 3.001 kubikë dhe të vjetra deri në 8 vjet, norma e akcizës do të jetë 1.000 euro. Për ato 9 vjet të vjetra 1.500 euro, 10 vjet – 1.800 euro, 11 vjet – 2.100 euro, 12 vjet – 2.400 euro dhe 12 vjet – 2.700 euro.

Deri më tani në Kosovë është lejuar importi i veturave të vjetra deri në 8 vjet me akcizë prej 500 eurosh. /Telegrafi/