Policia e Kosovës, Drejtoria rajonale e Prishtinës ka dhënë detaje lindur me rastin e djeshme ku një veturë me targa serbe “BG” ishte parkuar në mënyrë të parregullt në rrugën ”Garibaldi” në Prishtinë.
Sipas komunikatës së policisë i drejtuesi i veturës është identifikuar si S. Z. Mashkull, Serb, 28 vjeç.
Policia thotë se në bazë të hetimeve dyshohet se drejtuesi i veturës është një S.Z. një serb i moshës 28-vjeçare. person me një shkallë të lartë të dëmtimit mendor si dhe person i varur nga substancat narkotike.
“Dje rreth orës 16:00 policia ka marrë informacionin lidhur me një veturë të dyshuar, e cila ka qenë e parkuar në mënyrë të parregullt në rrugën ‘Garibaldi’ në Prishtinë”, thuhet në komunikatën e Policisë.
“Patrulla policore i është përgjigjur këtij informacioni duke dalë në vendin e ngjarjes ku ka hasur veturën e tipit Opel Astra ngjyrë hiri, me mbishkrimin Proffi Taxi me targa të republikës së Serbisë e cila kishte shkaktuar vështirësi në qarkullimin e trafikut rrugor si rezultat i parkimit jo të rregullt”.
Policia thotë se, sipas rregullit në rastet e kundërvajtjeve të tilla kur vozitësi i veturës nuk është prezent në vendngjarje vetura konfiskohet për tu krijuar kushtet optimale të qarkullimit në trafik.
“Edhe në këtë rast policia ka ftuar në vendngjarje kompaninë për tërheqjen e veturës, porse pas analizimit të rrethanave, informacioneve të reja të mara nga qytetarët si dhe dyshimeve të ngritura, e njëjta nuk është konfiskuar menjëherë”.
“Kësisoj në vendin e ngjarjes janë ftuar ekspert të njësiteve të specializuara policore për ekzaminim të detajuar të veturës në mënyrë që të përjashtohet çdo dyshim i mundshëm i ndërlidhur me prezencën e kësaj veture në rrugën e sipër cekur”.
“Ndërkohë që ekzaminimet kanë përfunduar dhe nuk kanë rezultuar me ndonjë gjë të dyshimtë policia ka identifikuar ngasësin e veturës, S. Z. mashkull, serb, 28 vjeç, i cili është intervistuar nga ana e policisë” thuhet në njoftim.
“Gjithashtu janë intervistuar edhe disa persona të tjerë në cilësinë e dëshmitarëve. Në bazë të një hetimi preliminar të bërë nga ana e policisë, mbështetur edhe në dokumentacionin mjekësor të prezantuar nga ana e ngasësit si dhe rekomandimin e mjekëve, është ngritur dyshimi që ngasësi i veturës të jetë person me një shkallë të lartë të dëmtimit mendor si dhe person i varur nga substancat narkotike”.
“Përgjatë gjithë kohës sa është zhvilluar ngjarja, policia ka koordinuar veprimet e saja me prokurorin e shtetit. Për rrjedhojë, pas kryerjes së ekzaminimeve të nevojshme vetura është konfiskuar dhe ndaj ngasësit të veturës është shqiptuar masa administrative me gjobë për veprimin kundërvajtës”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Telegrafi/