Dhjetëra kalimtarë përfshirë edhe një fëmijë janë lënduar, kur një veturë u fut në turmë dhe i shtypi, duke krijuar një skenë kaotike në Melbourne të Australisë.
Drama ndodhi kur një veturë e bardhë e markës Suzuki u fut në turmën e kapluar nga paniku, dhe filloi t’i shtyp në rrugën Elizabeth, transmeton Telegrafi.
Të paktën 14 persona janë dërguar me urgjencë në spital, ku njëri prej tyre raportohet të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore. Në mesin e të lënduarve është edhe një adoleshent me lëndime të rënda në kokë.
Nuk dihet nëse ky sulm ka lidhje me terrorizmin, edhe pse policia beson se ishte thjesht një incident. Lidhur me këtë veprim janë arrestuar dy burra të cilët policia është duke i marrë në pyetje.
Në fotografitë e publikuara më poshtë, shfaqen personat që ishin brenda veturës, që nxirren me dhunë nga policia dhe arrestohen. Një dëshmitare ka përshkruar në detaje momentin kur vetura shtypi dhjetëra kalimtarë,që nuk e kishin idenë se çfarë po ndodhte.
“Jam larguar nga rruga dhe kam bërtitur ‘të gjithë poshtë’, dhe qytetarët filluan të vrapojnë nga të gjitha anët”, ka shtuar ajo. /Telegrafi/