Site icon Telegrafi

Vetura për institucionin jofunksional

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka dy vjet që është jofunksional. Bordit të Drejtorëve të këtij dikasteri i ka skaduar mandati që në vitin 2013. Rrjedhimisht asnjë veprim nuk mund të ndërmerret pa urdhrin e Bordit.

Por, ky dikaster nuk po ia heq luksin vetes. Para disa ditësh ka realizuar tre tenderë të cilët janë të vetmit për këtë vit deri më tani. “Furnizim me karburante për nevojat e veturave”, “Sigurimi i veturave” dhe “Mirëmbajtja e veturave” janë prokurimet e realizuara të AKK-së.

Sekretari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Avdyl Krasniqi, ka refuzuar të përgjigjet për gazetën rreth asaj se kush dhe për çka po i përdor veturat. Ndërkohë, ish-anëtari i Komisionit Kosovar të Konkurrencës, Ahmet Krasniqi, thotë se veturat mund të përdoren vetëm për investigime, i cili iniciohen nga Komisioni.

“Për qëllimin pse është e themeluar, administrata aktuale e AKK-së është jofunksionale. Çdo hetim që bëhet duhet të iniciohet nga Bordi, të cilit i ka skaduar mandati që dy vjet. Tash, çka ju duhen veturat, as unë nuk e di. Në kohën kur ky institucion ka qenë funksional, pra, kur kemi qenë me mandat ne Komisioni, veturat janë nevojitur për të dalë në terren, pas konkluzionit që e kemi lëshuar për të hetuar, të zëmë pompat e naftës në rajonin e Gjilanit. Pra, veturat kanë shërbyer për të dalë në terren për hetime, e hetimet siç thashë iniciohen vetëm nga Bordi”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka informuar se janë pesë vetura të vogla, një “Opel Astra”, tre “Seat Ibiza” dhe një “Sheverlet” i vogël. “Pra, po e them edhe një herë, të gjitha këto janë përdorur vetëm për të bërë investigim. Mendojë se është çështje e Auditorit se sa po shpenzojnë e për çka po shpenzojnë derivate të naftës”, ka shtuar Krasniqi. /Zëri/Telegrafi/

Exit mobile version