Mediat gjermane raportojnë që në qytetin Meunster, një furgon ka shkelur kalimtarët e rastit duke shkaktuar vdekje dhe plagosje.
Sipas medieve, deri më tani dyshohet të kenë vdekur katër persona ndërsa rreth 30 të tjerë janë lënduar.
Ndërkaq, Der Spiegel raporton që personi që ka qenë duke vozitur automjetin ka vrarë veten me armë zjarri pasi kreu sulmin.
Ky akt po konsiderohet nga policia si sulm, por ende nuk dihen motivet dhe nëse krimineli ka lidhje me terrorizmin.
Sipas raportimeve të fundit, pjesë të tëra të qendrës së qytetit janë mbyllur, ndërsa helikopterë emergjencash janë dërguar në zonë, që po bëjnë të mundur dërgimin e të plagosurve në spitale.
Hetuesit e mbërritur në vendngjarje nuk e përjashtojnë mundësinë e ndonjë eksplozivi në zonë, për të cilin po kryejnë kërkime.
Policia gjermane u ka bërë thirrje njerëzve që të mos shkojnë në qendër të Meunsterit, ku ka ndodhur sulmi.
Ndërkaq, duhet kujtuar, në dhjetor të vitit 2016, një kamion u fut në turmën e tregut të Krishtlindjeve në kryeqytetin gjerman, Berlin, duke vrarë 12 veta./Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=AlasljU_FpQ