Telegrafi

Vettel fiton garën e Brazilit

Getty Images

Sebastian Vettel është fituesi i Çmimit të Madh të Brazilit, në garën e parafundit të Botërorit të Formula 1.

Kjo garë ishte vetëm për prestigj, pasi këtë sezon është vendosur gjithçka, me Lewis Hamiltonin kampion për pilotë dhe Mercedesin kampion për skuderi.

Lexo po ashtu Lewis Hamilton, kampion i Formula 1 për të katërtën herë në karrierë (Foto)

Gjermani i Ferrarit u nis nga vendi i dytë, por arriti të parakalonte finlandezin Valtteri Bottas të Mercedesit që në kthesën e parë.

(Foto: Getty Images)

Në vendin më të ulët të podiumit u ngjit ferraristi tjetër, Kimi Raikkonen, edhe pse këtij të fundit iu desh të vuante shumë në xhirot e fundit pas presionit të vazhdueshëm të britanikut Hamilton.

Ishte pikërisht ky i fundit, katër herë kampion bote, që i dha tonin kësaj gare, pasi u nis nga bokset për të përfunduar pikërisht në vendin e katërt të Çmimit të Madh të Brazilit.

Ishte ky një rikuperim i jashtëzakonshëm vendesh, edhe pse nuk luftonte për asgjë – transmeton Top Channel.

(Foto: Getty Images)

Në Brazil ishte edhe një tjetër protagonist në hije, braziliani Felipe Massa, i cili ka njoftuar tërheqjen përfundimtare nga Formula 1.

Tashmë Formula 1 i drejtohet garës së fundit të Abu Dhabit që do të zhvillohet fundjavën e 26 nëntorit.