Site icon Telegrafi

Vetingu i prokurorëve special, i domosdoshëm

I ashtuquajturi mandat i përjetshëm që e gëzojnë prokurorët është thikë me dy tehe, paralajmërojnë ekspertët. Sipas tyre , në propozim-ligjin e ri për prokurorinë publike duhet të parashikohet një mandat i kufizuar, që ata ti dëshmojnë vazhdimisht njohuritë dhe integritetin e tyre. Përveç kësaj, ligjërisht duhet të përcaktohet edhe detyrimi i kontrollit të gjendjes së tyre pronësore dhe të dëshmojnë se si janë pasuruar.

“Në mentalitetin tonë duke i dhënë njeriut një mandat të përjetshëm, është sikur ecni në drejtimin e gabuar, në pus, në humnerë, sepse njerëzit jashtëzakonisht pasurohen. Dje kanë filluar me atë, kanë nga disa apartamente në Shkup, në brendësi etj; për makina më mos të flas. Kjo nuk bëhet me pagë realisht, le të mos mashtrohemi. E dimë të gjithë çfarë page marrin, dhe një raport i tillë na çon në një situatë të pa lakmueshme në shtet dhe tërësisht në sistemin e drejtësisë. Unë jam skeptik se ne me ndryshimet, me zgjidhjet e reja ligjore hyjmë në problemet”, deklaroi Aleksandër Nakov – ish-prokuror.

Profesori Temelko Ristovski, thotë se vendi duhet të marrë shembull nga Shqipëria për veting të të gjithë sistemit gjyqësor. Megjithëse është një proces i gjatë dhe i gjerë, është e rëndësishme të shprehet një vullnet i qartë politik për fillimin e tij, thotë Ristovski , i cili nuk sheh një gjë të tillë në Ligjin e propozuar për Prokurorinë Publike.

“Ka disa dispozita që kanë një sasi të caktuar të vetingut, por ajo është modeste. Prandaj, mendoj se këto dispozita duhet të plotësohen, të saktësohen në aspektin e gjendjes pronësore, pronës, mënyrës se si është fituar, nëse është fituar me punë të ndershme ose me qarqe kriminale. Më pas sa i përket integritetit moral, cili është reputacioni i tij në sytë e qytetarëve, si është dëshmuar deri atëherë gjatë punës dhe sigurisht duhet të merren parasysh cilësitë e tija profesionale”, pohoi Temelko Ristovski – profesor universitar.

Propozim- ligji për Prokurorinë Publike i Qeverisë i dorëzuar në Kuvend parasheh bashkimin e PSP-së me prokurorinë për krim të organizuar dhe korrupsionin. Në Prokurorinë e integruar, parashikohet të hyjnë të gjitha prokurorët e PSP-së, me përjashtim të Janevës, e cila largohet për në Prokurorinë Republikane. Kjo është një nga vërejtjet kryesore të opozitës, e cila kërkon që prokurorët e PSP-së të kthehen në Prokuroritë Amë, dhe më pas të konkurrojnë për në prokurorinë e re. Ato akuzojnë për përfshirje të mundshme të prokurorëve në rastin “Reket”, si dhe për nepotizëm në PSP-së./Alsat/

Exit mobile version