Telegrafi

Vetëvritet një nga të akuzuarit për skandalin me mikrokreditë në Tiranë

Foto: Ilustrim

Olsi Ibro, një nga të akuzuarit për skandalin me mikrokreditë, është vetëvrarë. Mësohet se Ibro është vetëhedhur nga pallati.

Përmes një njoftimi policia bëri me dije se ngjarja ndodhi në rrugën “Ramazan Shijaku”, ku Olsi Ibro, 45 vjeç është vetëhedhur nga lartësia e një pallati në ndërtim e sipër dhe si pasojë e dëmtimeve të marra ka ndërruar jetë në vendngjarje, shkruan Euronews.al

Një ditë më parë me urdhër të Prokurorisë, Olsi Ibros iu sekuestruan pasuritë.

Prokuroria e Tiranës kërkoi sekuestrimin e pronave dhe pasurive të shoqërive Micro Credit Albania dhe Final nën akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda dhe kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim dhe pastrim parash.

“Nga hetimet, rezultoi se shoqëritë tregtare MCA dhe Final, në bashkëpunim me Shoqërinë ADCA dhe me disa shoqëri të tjera përmbarimore, por edhe me ndihmën e një eksperte vlerësuese, duke pasur që në fillim të ushtrimit të aktivitetet të  tyre (aktivitetit të  blerjes dhe mbledhjes së kredive të këqija) mendimin unik kriminal, kanë krijuar së bashku një skemë mashtruese me qëllim vjedhjen dhe zhvatjen e qytetarëve që aktualisht përllogaritet në miliona euro”, bëri me dije Prokuroria.

Bashkëshortja e Olsi Ibros, Elda Ibro është me masë sigurie “arrest në shtëpi” për të njëjtat akuza.