Keith Emerson, bashkëthemeluesi dhe instrumentisti (klaviaturë) i rock grupit legjendar Emerson, Lake and Palmer (ELP), ka ndërruar jetën në moshën 71-vjeçare, njoftojnë ish-anëtarët e bendit.
“Na vjen keq t’ju njoftojmë se Keith Emerson ka vdekur natën e kaluar në shtëpinë e tij në Santa Monica, në Los Anxhelos”, thuhet në profilin zyrtar të grupit në Facebook.
Sipas policisë së Santa Monicas, ai u vetëvra duke e qëlluar veten në kokë me armë zjarri.
“Jam prekur thellë kur mësova se miku im i mirë dhe vëllai im në muzikë ka vdekur”, thotë Carl Palmer. “Keith ishte shpirt i butë, dashuria e të cilit për muzikë dhe pasioni si instrumentist në taste do të mbetet i pakrahasueshëm ndër vite. Gjithmonë do ta mbaj mend buzëqeshjene tij të butë, sensin e mirë për humor, përkushtimin për muzikë”, transmeton Telegrafi.
I inspiruar nga interpretimet teatrale të Jimi Hendrixit në kitarë, Emerson ishte i famshëm për performancat unike në koncerte.
“Është natyrale, diçka që më bën të jem më ekspresiv”, ka thënë ai dikur.
ELP ishte një sensacion botëror. Disa albume të tyre, përfshirë “Tarkus”, “Trilogy” dhe “Braid Salad Surgery”, kanë qenë në top-pesëshe në Britani.
Emerson – i lindur në Yorkshire më 1944 – para ELP-së ishte anëtar i grupit The Nice, që u formua më 1967 e u shpërnda pas tri viteve. Pas shpërbërjes së ELP-së, ai vazhdoi solo karrierën. Koncertin e fundit e ka mbajtur në korrik 2015 në Londër.
ELP ka inspiruar shumë bende tjera të mëdha, përfshirë Iron Maiden dhe Dream Theater. Ky grup ka incizuar nëntë albume në studio, 17 albume live, 13 kompilim dhe 13 single. Që të gjitha studio-albumet ishin të arta. /Telegrafi/
https://youtu.be/T9fsyWZBktQ
https://youtu.be/qQOJHUl4_kE