Formulimi i konceptit të vetëvrasjes si një akt fatal që paraqet zgjedhjen e personit për të vdekur, duket jo i plotë. Kjo për shkak të kompleksitetit të temës dhe dallimeve në percepcionin në lidhje me jetën dhe vdekjen.
Përballja me situata të panjohura na bën të ndihemi ndryshe. Nëse kjo përballje paraqet rrezik potencial për të cenuar vazhdimësinë e rutinës jetësore, manifestimi i ndjenjave dominohet me frikën. Në momentin kur kuptojmë më shumë nëpërmes informatave, ne mund të racionalizojmë dhe të gjejmë shpjegimin e fenomeneve dhe të reduktojmë ndjenjën e frikës. Ndërkaq vdekja, mbetet fenomen i pasqaruar në aspektin e kuptimit. Prandaj, mbetet në nivel të drojës, shpresës, lutjeve, mëshirës, pamundësisë për ta injoruar. Në këtë kuadër, njeriu ka predispozita të provojë të ikë nga ajo që nuk i gjen kuptim dhe t’i kthehet më shumë gjetjes së kuptimit të jetës.
Përderisa shumë fenomene të panjohura mbesin në nivel të sqarimit nëpërmes supozimeve, gjasave e teorive, edhe kuptimi i jetës dhe vdekjes shpërndahet në hapësirë dhe i mbetet secilit individ që ta shohë, perceptojë dhe sqarojë në baza individuale. Përderisa për shumicën e llojit njerëzor, fundi i jetës mbetet në nivel të të dëshiruarës për shtyrje sa më larg, një lajm për vetëvrasjen e dikujt do ta sfidojë dhe do t’i trondis qëndrimet e formuluara në vetvete. Kjo sqarohet me ndjenjën e mëshirimit, mohimit dhe gjykimit të aktit vetëvrasës. Në thelb, është tronditja e konceptit individual për jetën dhe vdekjen.
Përveç teorive, ka shumë studime që tentojnë të marrin informata sqaruese për fenomenin vetëvrasje. Gati është e sigurt se nuk ka njeri që mendja e tij nuk ka bërë “lojë” me mendimin vetëvrasës. Një vezullim, mendim i padëshirueshëm apo një flluskë nëpër tru. Aq është shqetësuese sa që na bën të kthehemi shpejt e shpejt për t’u marrë me gjetjen e kuptimit të jetës.
Ka persona që ballafaqohen me dhimbje intensive shpirtërore dhe me situatat tronditëse sa që marrin vendimin për të ndaluar atë gjendje me ndërprerjen e jetës. Disa nuk veprojnë kurrë drejt vetëvrasjes, disa planifikojnë me ditë apo javë ose edhe vite, disa veprojnë në mënyrë impulsive. Ndoshta koncepti më i rëndësishëm për profesionistët shëndetësor dhe institucionet që kanë obligim mbrojtjen e jetës së njerëzve është se gati gjithmonë vetëvrasja është pasim nga ndonjë çrregullim mendor.
Ndjenja e pashpresës është dominuese në trurin e individit që tenton apo aplikon vetëvrasje. “Nuk ka jetë për mua, nuk e vlen, ëndrrat e mia nuk realizohen kurrë”, e gjykime të ngjashme përcillen në aktivitetin trunor. Pastaj është ndjenja e pavlerës në stilin e gjykimeve “unë nuk vlej, unë nuk mundem, jeta s’është për mua” e të ngjashme. Vetëfajësimi dhe gjykimi i tepruar, bëjnë që individi të mos jetë në gjendje të rezonojë arsyeshëm për të vlerësuar jetën. Vorbulla e ndjenjave dëshpëruese, bashkë me pamundësinë për të gjetur rrugën e daljes nga dhimbja shpirtërore, përkufizojnë individët që përjetojnë gjendje të tillë e që lirimin nga mbërthimi e shohin në ndaljen e jetës.
Teoritë që studiojnë vetëvrasjen, kanë përkufizuar edhe një listë faktorësh që kanë apo mund të kenë ndikim drejt kryerjes së aktit. Faktorët moshë, status social-profesional e familjar, çrregullim mendor, faktori biologjik, molekular – gjenetik, stili jetësor, abuzimi me substanca e parametra tjerë vlerësues, janë listime që duhet të kenë parasysh profesionistët shëndetësor.
Në kuadër të faktorëve tjerë, përmenden edhe ata sociologjik sipas teorisë së Durkheim. Ndikimin sociokulturor kjo teori e përkufizon sipas parametrave statistikor dhe e ndanë në këto kategori sociale. Suicidi egoistik i referohet atyre që nuk janë integruar mjaftueshëm në asnjë grup social. Mungesa e integrimit familjar sqaron statistikën se pse personat pa familje janë grup më vulnerabël dhe pse çiftet me fëmijë janë grupi më i mbrojtur. Komunitetet rurale kanë më shumë integrim familjar se ato urbane dhe, sipas shënimeve, më pak raste të vetëvrasjes.
Ndarje tjetër nga kjo teori paraqitet edhe suicidi altruist. Karakterizohet nga ndjenja e përkushtimit ndaj qëllimeve, besimeve e nevojave të grupit. Shembull përkufizimi përmenden këtu sakrifica e ushtarëve në beteja (në anale përmenden sakrifikimet e ushtarëve japonezë). Suicidi anomik i reflektohet njerëzve që u është çrregulluar integrimi në shoqëri aq sa nuk mund t’i përcjellin normat e sjelljeve ndryshe nga pritjet. Individët nuk mund të dallojnë pozitën ku ata përkasin në shoqërinë e tyre. Durkheim sqaron se kjo do të ishte një gjendje e çrregullimit moral i dezorientimeve sociale, kur njeriu nuk i njeh limitet e nevojave të veta dhe në vazhdimësi përballohet nga gjendje e dëshpërimit.
Këta tre tipa të vetëvrasjeve nga kjo teori janë bazuar në shkallën e mos balancës në mes të integrimit social dhe rregullave morale.
Pavarësisht faktorëve dhe teorive, vlera e jetës e ka kuptimin e ndihmës së tjetrit për t’u orientuar në situatat konfuze. Këtu mund të përmend rolin e familjes, shoqërisë, profesionistëve dhe nevojën për krijimin e strategjive dhe hapave konkret drejt zbutjes së këtij fenomeni. Paragjykimet, gjykimet, supozimet, mbesin në nivel të percepcioneve individuale.
Mbijetuesit e vetëvrasjes nuk janë ata që tentojnë aktin por ata që humbin të dashurit. Dhimbja është shumë më e madhe krahasuar me vdekjet tjera, kryesisht pasojë e ndjenjës së fajësisë te të gjallët.
Mbijetuesit mbesin me ndjenjën se i afërmi ka kryer vetëvrasje me vullnet dhe qëllimisht dhe se ata kanë mundur ta parandalojnë. Përderisa i vdekuri nuk mund të sqarojë, mbijetuesit ballafaqohen me ashpërsinë e sulmeve të ndërgjegjes.
Nga sa kuptohet deri tani, i vetëvrari më shumë se qëllimisht identifikohet si viktimë e faktorëve ndikues nga sa u përmendën më lart, dhe ndjenjave dominuese të cilat askush nuk do të dëshironte t’i zgjedhë.
Për fëmijët në veçanti, humbja e prindit në vetëvrasje pason me ndjenjën e braktisjes së turpshme për të cilën fëmija mund të vuajë nga ndjenja e fajësisë. Prindërve të fëmijëve të vetëvrarë pikëllimi u përcillet bashkë me ndjenjën se kanë humbur një pjesë të vetvetes por edhe se kanë dështuar në atë që supozohet të jetë përgjegjësi prindore.
Me besimin se lexuesi do të rezonojë arsyeshëm dhe do të avokojë se profesionistët shëndetësor mund të evitojnë shumë raste vetëvrasjesh dhe me shpresën se dikush do të ndërmarrë masa parandaluese, hapat e parë do të ishin ta njohim fenomenin dhe te flasim për të.