Telegrafi

Vetëvrasja e të paraburgosurit, QKRMT thirrje për krijimin e hapësirave për vendosjen dhe trajtimin e kryerësve me çrregullime mendore

Duke marrë shkas rastin e të paraburgosurit Y.D. (33 vjeç) i cili më datë 19.08.2021 bëri vetëvrasje në dhomën e tij në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, edhe një herë u bëri thirrje Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës, që t’i marrin veprimet e nevojshme dhe të domosdoshme për krijimin e hapësirave të duhura për vendosjen dhe trajtimin e kryerësve me çrregullime mendore.

QKRMT konsideron se, përkundër ofrimit të shërbimeve nga stafi shëndetësor dhe ai korrektues, vendosja e të paraburgosurit në fjalë, në Qendrën e Paraburgimit është bërë në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi.

“Për më tepër, rasti ne fjalë, që fatkeqësisht kulmoi me humbje jete, është emëruesi i përbashkët i shumë rasteve tjera, që në mënyrë konsistente shpërfaq neglizhencën dhe injorimin e rekomandimeve tona nga ana e institucioneve gjegjëse, për trajtimin e domosdoshëm të çështjes së vendosjes dhe kujdesit për kryerësit me çrregullime mendore”.

Lexo po ashtu Vetëvritet një i paraburgosur në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali

Në raportimet e vazhdueshme të QKRMT-së, është potencuar pamundësia për trajtimin e këtyre rasteve brenda institucioneve korrektuese, duke evidentuar: mungesën e ofrimit të shërbimeve psikiatrike të vazhdueshme, mungesën e kapaciteteve të stafit korrektues, si dhe rrezikun e mundshëm të shkaktuar nga kryerësit me çrregullime mendore, duke përfshirë edhe vetëlëndimet dhe vetëvrasjet.

Sipas evidencave të QKRMT-së, në shumë raste këta persona janë vendosur në institucionet korrektuese në kundërshtim me Aktvendimet për caktimin e paraburgimit, ku gjykata e ka caktuar që paraburgimi dhe ekzaminimi psikiatrik të bëhet në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës (IPFK), mirëpo në mungesë të vendeve të lira në IPFK të paraburgosurit janë dërguar në qendrat e paraburgimit.

QKRMT i bën thirrje Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës, që ta trajtojnë seriozisht çështjen e vendosjes dhe trajtimit të kryerësve me çrregullime mendore, në mënyrë që vendosja dhe trajtimi i tyre të jetë human dhe në harmoni me dispozitat ligjore në fuqi.