Site icon Telegrafi

Vetëvrasja e 41-vjeçares në Durrës për shkak të bullizimit, shoqërohet në komisariat bashkëshorti

Foto: Ilustrim

Është shoqëruar në policinë e Durrësit, bashkëshorti i 41-vjeçares Bedrie Loka që helmoi veten me fostoksinë. 

Burime bëjnë me dije se bashkëshorti i të ndjerës dyshohet se ka pasur një konflikt me këtë të fundit për shkak të profilit falso në rrjetet sociale.

45-vjeçari, kur ishte kthyer nga Greqia e kishte kërcënuar për ta vrarë bashkëshorten, me mjet prerës thikë, në prezencë të njërit prej fëmijëve.

Gjatë kontrollit të ushtruar në territorin e banesës së 45-vjeçarit, Policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë zjarri automatik tip “Sharrs”, një krehër dhe një sasi municioni luftarak.

Lexo po ashtu E bullizonin në TikTok, 41-vjeçarja në Durrës i jep fund jetës

Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve kanë sekuestruar celularin e Lokës, i cili e kishte fshehur atë, dhe nuk ka bashkëpunuar me Policinë.

Ky celular, bashkë me celularin e shtetases Bedrie Loka, janë dërguar për ekspertimin me qëllim gjetjen e provave për dokumentimin e rrethanave dhe shkakut të ngjarjes.

Po në vijim të veprimeve të thelluara janë kryer një sërë veprimesh të tjera procedurale me qëllim dokumentimin e plotë të shkakut që detyroi 41-vjeçaren të konsumonte lëndë helmuese.

Gjithashtu, nga strukturat e specializuara për Hetimin e Krimeve Kibernetike po kryhen veprime hetimore intensive për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore autorin/en e keqpërdorimit të të dhënave të Bedrie Lokës në rrjetin social “Tik Tok”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme. /Euronews.al/

Exit mobile version