Site icon Telegrafi

Vetëvendosje publikon propozim amendamentet për Trepçën

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca i ka bërë publike propozim amendamentet për projektligjin për Trepçën, drejtuar Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukture, Tregti e Industri.

Vetëvendosje përmes një njoftimi për media, ka dërguar shtatë amendamentet, në të cilat Konjufca ka kërkuar që të bëhen ndryshime.

Këto janë amendamentet e propozuara nga Konjufca:

Amendament I:

Në Nenin 1 të projektligjit, pas fjalisë “Ky ligj ka për qëllim krijimin e infrastrukturës ligjore “, të shtohen fjalitë “për të transformuar njësitë e caktuara biznesore të ndërmarrjes ekzistuese Trepça, në ndërmarrje publike qendrore,” për të vazhduar si në përmebajtjen ekzistuese.

A R S Y E T I M

Ndërmarrja ekzistuese shoqërore “Trepça”, e cila aktualisht është nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit rrezikohet t’i nënshtrohet procesit të likuidimit. Ndonëse kjo ndërmarrje ka një potencial të madh për zhvillimin ekonomik të mbarë vendit, është më se e nevojshme që njësitë e caktuara punuese të kësaj ndërmarrje të marrin statusin e ndërmarrjes publike, në mënyrë që të mbrohet interesi i përgjithshëm shoqërëror dhe shtetëror. Me përkufizimin e ndërmarrjes “Trepça” si ndërmarrje publike, do të përkufizohej pjesëmarrja e gjërë institucionale dhe shoqërore në kuptim të pronësisë saj, si dhe në kuptim të një entiteti juridik me status të veçantë.

Amendamenti II:

Paragrafi 1 i Nenit 2 të projektligjit ndryshohet si në vijim:

“1. Dispozitat e këtij ligji përcaktojnë transformimin e njësive biznesore të listuara në paragrafin 2 të këtij neni në Ndërmarrjen Publike Trepça Sh.A.”

A R S Y E T I M

Ndryshimi i propozuar me Amendamentin II ka për qëllim që të definoj statusin e ndërmarrjes “Trepça” si ndërmarrje publike me status të veçantë dhe të organizuar në cilësi të Shoqërisë Aksionare, siç janë edhe të regjistruara të gjitha ndërmarrjet publike qendrore.

Amendamenti III:

Nën-paragrafi 1.1 i nenit 3 të projektligjit, pas fjalisë “me emërtimin “Trepça – Ndërmarrje në Administrim të AKP” shtohet fjalia “e transformuar me njësitë biznesore të parapara me këtë projektligj si ndërmarrje publike qëndrore në pronësi të Republikës së Kosovës”

A R S Y E T I M

Propozim-amendamenti III ka për qëllim harmonizimin e përkufizimit të ndërmarrjes “Trepça” me përmbajtjen e nenit 1 dhe 2 mbi qëllimin dhe fushëveprimin e projektligjit për Trepçën. Gjithashtu, meqenëse kemi të bëjmë me përkufizimin e termit të përdorur, me këtë përkufizim do të përfshiet edhe faza para transformimit, ashtu edhe post-transformimit të ndërmarrjes Trepça.

Amendamenti IV:

Paragrafit 1 të Nenit 5, shtohet një pasus plotësues me këtë përmbajtje:

“Minierat, respektivisht resurset minerale nuk mund të jenë në asnjë mënyrë objekt i aksionit të tjetërsuar.”

A R S Y E T I M

Vetë përmbajtja e paragrafit 1 të Nenit 5 të projektligjit tregon për rëndësinë e resurseve minarale duke i përcaktuar ato taksativisht si pronë e Republikës së Kosovës. Kështu që me amendamentin e propozuar, pas përcaktimit taksativ të pronësisë së resurseve, është i nevojshëm ndalimi i qarkullimit juridik mbi pronësinë e sovranizuar të Republikës së Kosovës. Miratimi i këtij amendamenti siguron patjetërshmërinë e minierave dhe resurseve si komponente strategjike të Republikës së Kosovës.

Amendamenti IV:

Paragrafi 9.9 plotësohet me tekstin në vijim:

9.Lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me themelimin, transformimin e plotë apo të pjesshëm, dhe shuarjen e njësive biznesore ose investimet në projekte të reja, Bordi Mbikëqyrës, respektivisht Qeveria e Republikës së Kosovës si aksionari kryesor, duhet ta marrë miratimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

A R S Y E T I M

Me këtë shtesë qartësohet roli vendimmarrës I Kuvendit të Republikës karshi vendimeve për Trepçën.

Amendamenti V:

Te Neni 12, paragrafi 1. të shtohen pikat 1.1, 1.2, 1.3.

1. Trepça Sh.A. në kuadër të procesit të transformimit dhe ristrukturimit me qëllim të krijimit të kushteve për zhvillimin e saj dhe rehabilitimin e saj do të përdorë modalitete të investimeve sikur të mëposhtmet, por pa u kufizuar vetëm në to:

1.1. kreditë shtetërore;

1.2. kreditë e kompanisë;

1.3. emetimit dhe shitja e obligacioneve;

1.4. partneriteti publiko-privat;

1.5. investime direkte private;

1.6. investime të përbashkëta;

1.7. emetimi dhe shitja e aksioneve.

A R S Y E T I M

Këto 3 pka e zgjerojnë gamën e mundësive investuese në Kompaninë Publike Qendrore Trepça, pa i kufizuar asnjë prej tyre. Kështu Ligji për Trepçën siguron se fokusi do të jetë zhvillimi dhe rehabilitimi i Trepçës përmes formave të ndryshme e të kombinuara të investimeve pa e përjashtuar as kapitalin publik e as atë privat.

Amendamenti VI:

Paragrafi 12.3 dhe 12.4 fshihen tërësisht.

A R S Y E T I M

Modalitetet qeverisëse në rastin e privatizimit të plotë ose të pjesshëm të Trepçës ose të njëjsisë së caktuar biznesore, rregullohet në Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

Prishtinë, 7 tetor 2016

Glauk Konjufca

Deputet i Kuvendit të Kosovës

Exit mobile version