Telegrafi

Vetëvendosje: Privatizimi i PTK-së të ndalet menjëherë

Gjatë një konferencë për media, të shtunën, aktivisti dhe deputeti i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka thënë se ngritja e aktakuzës kundër drejtorit ekzekutiv të PTK-së, Shyqyri Haxha dhe kryetarit të Bordit të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj tregon se marrëveshja e PTK-së me Dardafonin ka qenë e jashtëligjshme.

Për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Ymeri e ka bërë përgjegjës edhe ish-ministrin e Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala dhe kryeministrin Hashim Thaçi, të cilët, sipas tij, kanë mbrojtur marrëveshje me ngulmë dhe në këtë mënyrë ia kanë ulur vlerën PTK-së.

“Marrëveshja për të cilën është ngritur aktakuza ia ka ulur vlerën PTK-së për shkak se një pjesë të fitimit ia transferon Z-Mobile pa kurrfarë logjike ekonomike”, ka thënë Ymeri.

Sipas tij, kjo marrëveshje dhe shumë dëme tjera që i janë shkaktuar PTK-së, siç janë antenat ilegale të operatorëve mobilë serbë në Kosovë, tregojnë se zhvlerësimi i PTK-së ka qenë i qëllimshëm nga ana e Qeverisë së Kosovës, andaj ka kërkuar ndalimin e menjëhershëm të privatizimit të kësaj kompanie.

Lidhur me Doganat e Kosovës, Ymeri ka thënë se për gjithë atë që ka ndodhur përgjegjësinë kryesore e bart Qeveria e Kosovës.

“Hetimet në PTK dhe në Doganë janë vetëm simptome të funksionimit të dëmshme dhe të jashtëligjshëm të kësaj qeverie. Këto tregojnë mënyrën se si po funksionon qeveria dhe njëkohësisht e tregojnë edhe dëmin që kjo qeveri po i sjell Kosovës, parasë publike, kompanie publike, sektorit publik në përgjithësi që nënkupton pra dëmet që po i sjellin qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Ymeri. /Telegrafi/