Telegrafi

Vetëvendosje: Plani ekonomik gjatë pushimeve në Bullgari

Vetëvendosje thotë se, hartimi i planit ekonomik në këtë kohë tregon se edhe në mandatin e kaluar qeveria nuk e ka pasur të qartë programin e zhvillimit ekonomik.

“Funksionimi ad hoc i përditshëm, ku vendimet merren në bazë të rrjedhave ditore e jo në bazë të një plani strategjik, e kanë sjellë Kosovën para kolapsit ekonomik. Kjo po ashtu do të thotë se vendimet kapitale, si privatizimi i PTK-së, ndërtimi i autostradës, buxheti për vitin 2011, si dhe vendimet e tjera kapitale janë sjellë pa plan dhe agjendë ekonomike”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Sipas kësaj lëvizje, vendimi që plani të hartohet në një qendër skijimi në Bullgari gjithashtu tregon se ndërtesat e shumta qeveritare në Prishtinë nuk i mjaftojnë qeverisë së Kosovës për të hartuar planin ekonomik për shpëtimin e vendit.

“Për më shumë, vendimi që paratë publike të shpenzohen në një qendër skijimi në Bullgari e jo në Kosovë në qendrat e shumta të pushimit, tregon në një rrafsh tjetër interesimin e qeverisë së Kosovës për të ndihmuar ekonominë vendore. Ashtu sikurse edhe në mandatin e kaluar, si duket më shumë punëtori e konferenca të qeverisë së Kosovës do të mbahen jashtë vendit e jo në Kosovë”.

Ata që nuk kanë mundur të bëjnë asgjë për ekonominë e Kosovës për 30 muaj, sipas Vetëvendosjes së Albin Kurtit vështirë se mund t’i zgjidhin problemet për katër ditë skijimi. /Telegrafi/