Site icon Telegrafi

Vetëvendosje me aksionin “Kosova Republikë”

Vetëvendosje theksoi se pranimi i kryenegociatores, Edita Tahirit që të hiqet mbishkrimi “Republika e Kosovës” në përfaqësimin e nismave rajonale është në përputhje të plotë me qëndrimin nënshtrues të Qeverisë së Kosovës karshi Serbisë.

“Arsyetimet që po bëjnë zyrtarët qeveritarë janë të papranueshme. Po na thuhet se Kosova hoqi dorë nga Republika, por edhe Serbia hoqi dorë nga Rezoluta 1244. Ky arsyetim vjen nga pozicioni i atyre që Kosovën e shohin si një çështje të pazgjidhur, që nuk dihet se kujt i takon, e kush ka të drejtë mbi të. Ky arsyetim i pranon synimet shoviniste të Serbisë si legjitime”, vlerëson Vetëvendosje.

Sipas tyre, as paralelja që po bëhet me rastin midis Greqisë dhe Maqedonisë nuk qëndron. Ata shprehen se Maqedonisë nuk i kontestohet subjektivitetin shtetëror, nuk i mohohet shteti, por emri i shtetit, ndërkaq, Serbia e konteston emërtimin shtetëror sepse nuk e njeh dhe e lufton vetë shtetin e popullin e Kosovës.

Më tej, kjo lëvizje shprehet se heqja e fjalës “Republikë” nga emri i shtetit tonë dhe shfuqizimi i reciprocitetit në Kuvendin e Kosovës e kanë fuqizuar Serbinë në Kosovë si dhe në arenën ndërkombëtare për çështjen e Kosovës.

Sipas tyre, kjo gjë ia ka rritur shumë Serbisë gjasat për ta marrë statusin e vendit kandidat për BE, ndërkaq koncesionet që po i bën Qeveria e Kosovës lidhur me shtetin janë sinjal i keq dhe krijojnë konfuzion edhe për shtetet që e kanë njohur apo që duan ta njohin Kosovën si shtet.

“‘Kosova Republikë’, kjo parullë e kahmotshme, kjo thirrje e brezave kundër pushtuesve është plot kuptim edhe sot. Sa më shumë koncesione me Serbinë, më e dëgjuar do të bëhet kjo thirrje; sa më shumë vjedhje e pazare të pasurisë publike, më i shpejtë e më i madh do të jetë reagimi i publikut në mbrojtje të Republikës, por edhe më cilësor do të jetë ndryshimi”, vlerësoi Vetëvendosje gjatë aksionit simbolik në Prishtinë. /Telegrafi/
 

Exit mobile version