Site icon Telegrafi

“Vetëvendosje” kundër mistrisë, jo Amerikës!

Jam i prirë që të dyshoj se ambasadori amerikan, z. Dell, e ka me gjithë mend kur kritikon Lëvizjen “Vetëvendosje” me lloj-lloj akuzash, gjë që nuk e bën edhe për subjektet e tjera politike, ose e bën shumë më pak dhe rrallëherë.

Unë, më në fund, nuk dëshiroj të shkoj më larg dhe përtej asaj se mos akuzat e tilla shkojnë përtej kompetencave të një ambasadori, aq më shumë të një ambasadori të një shteti mik, i dëshmuar sa e sa herë, siç është Amerika.

Akuzat se “Vetëvendosje” është “antiamerikane"; se “në shumë forma “Vetëvendosje!” më tepër është në linjë me Serbinë, sesa me Kosovën; se “Vetëvendosje, sikurse Boris Tadiqi, më tepër dëshiron ta shohë Shqipërinë e Madhe, sesa Kosovën e pavarur”… sa janë “shokuese” këto për ambasadorin Dell, aq më tepër akuzat e tij dalin shokuese për anëtarësinë e gjerë të Lëvizjes “Vetëvendosje!”. Por, jam i sigurt edhe për një pjesë të mirë të anëtarësisë së subjekteve të tjera. Këtë dyshim e bazoj në disa fakte.

Ambasadori Dell e di fort mirë se numri i anëtarëve të Lëvizjes “Vetëvendosje!” është i konsiderueshëm dhe kjo është parë më së miri me rastin e zgjedhjeve të fundit, e cila përkundër votave që iu vodhën, arriti të bëhet subjekti i tretë parlamentar, pas PDK-së dhe LDK-së. Këtë e di fort mirë ambasadori Dell. Prandaj t’ia veshësh këto akuza asaj, do të thotë moskonsideratë ndaj një numri kaq të madh të qytetarëve të këtij shteti.

Pa fije dyshimi, numri kaq i madh i anëtarëve të “Vetëvendosjes” është arritur pikërisht për shkak të konceptit dhe vizionit të saj që ka ajo për ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit demokratik, për zbatimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë, për të drejtën për të protestuar, për luftimin e korrupsionit etj. Prandaj, as ky koncept dhe ky vizion i “Vetëvendosjes” nuk lë hapësirë dhe as mundësi për këso akuzash kundër saj, siç veprohet nga ambasadori Dell.

Aq më pak kanë kuptim akuzat dhe kritikat e ambasadori Dell kundër “Vetëvendosjes”, nëse merret për bazë Programi politik i saj, i cili me asgjë nuk bie në kundërshtim me të drejtat demokratike të qytetarëve të Kosovës për zhvillim, progres, zbatim të ligjit dhe mirëqenie sociale.

Së paku vetë ambasadori Dell (sa më kujtohet mua), nuk e ka kontestuar dhe as kritikuar deri më tash qoftë dhe një paragraf të vetëm të këtij Programi, e që besoj se e ka lexuar, pasi ai është i përkthyer edhe në anglisht. Ndërsa sjelljet dhe veprimet e “Vetëvendosjes” janë pikë për pikë në frymën e Programit.

Mbase dyshimi më i madh përse ambasadori Dell e akuzon dhe e kritikon në mënyrë kaq të vrazhdë dhe jo diplomatike Lëvizjen “Vetëvendosje!”, është pikërisht sjellja oportune e disa partive opozitare. Ato, edhe në rastet kur janë të një mendjeje me “Vetëvendosjen”, për ngritjen e çështjeve me rëndësi jetike për qytetarët dhe shtetin e tyre, më shumë preferojnë të mos i acarojnë raportet me partitë në pushtet, pra me qeverinë, se t’ia mbajnë krahun këtij subjekti – ndonëse janë të bindura plotësisht se ajo ka të drejtë.

Vlerësimi i liderëve të tyre se çështjet e ngritura nga “Vetëvendosje” është më e arsyeshme që ato të zgjidhen vetëm në mënyrë institucionale, e jo edhe përmes protestave të qytetarëve, janë më tepër dëshira për mosprishjen e rehatisë dhe të komoditetit të tyre personal, se që është kjo e vërtetë. Nuk ma merr mendja se anëtarësia e partive të tyre që udhëheqin janë të lumtur dhe mendojnë njësoj si ata, prandaj dhe që të pajtohen me sjelljet e tyre.

Konsideroj se mu për shkak të mosveprimit të këtyre subjekteve, sipas qëndrimeve parimore të “Vetëvendosjes”, dhe mosbashkëngjitja në asnjë rast të vetëm për të protestuar bashkërisht, ka ndikuar që ambasadori Dell me shumë lehtësi të ngritë akuza dhe kritika të pamatura ndaj “Vetëvendosjes”.

Po, sepse “Vetëvendosje” nuk mendon që për çështje fondamentale që kanë të bëjnë me fatin e këtij populli dhe të këtij shteti, t’i lihen çfarëdo qeverie të papërgjegjshme që të vendosë krye në veti dhe pas vendimeve të marra, opozita vetëm t’ia bëjë rrafsh, t’i bjerë mistri!

Zaten ky është edhe “gabimi” kryesor i “Vetëvendosjes” që nuk pranoi ta mësojë zanatin e mistrisë dhe nuk do dhe as nuk pranon që ta fusë atë në përdorim! Atëherë me siguri as vetë ambasadori Dell nuk do të kursente që këtë mistri ta përdorte ndaj “Vetëvendosjes”, siç po e përdor në të gjitha rastet ndaj partive në pushtet.

 

Exit mobile version