Site icon Telegrafi

“Vetëvendosje” dhe ‘Krenaria e Kosovës”

Duke parë ngjarjet e fundit në Republikën e Kosovës, po shihen edhe një herë problemet e shumta dhe si duket të pa shmangshme e të pazgjidhshme. Para luftës problem parësor ishte Serbia, me largimin e saj në qershorin e vitit 1999, si duket ajo la pas vete ‘rrënjët’ e saj që tash e 12 vjet po shkaktojnë sëmundje brena shtetit tonë. Për vite me radhë ekonomia është dëmtuar edhe më shumë, ndoshta deri në kolaps nga mallrat serbe. Lejohej hyrja e produkteve serbe në Kosovë, por jo edhe anasjelltas; lejoheshin targat serbe në Kosovë, por jo edhe anasjelltas; njiheshin dokumentet serbe në Kosovë, por jo edhe anasjelltas… listë kjo shumë e gjatë duke thënë lejoheshin, por jo edhe anasjelltas.

Zbatimi i masave të reciprocitetit shënoi një rritje të shpejtë dhe të vrullshme të produkteve vendore që reflektohej drejtpërsëdrejti. Këto masa u ndalën shumë shpejt dhe filloi prapë e njëjta, ajo lista e lartpërmendur, lejoheshin, por jo edhe anasjelltas. Kjo situatë si duket ka acaruar edhe Lëvizjen Vetëvendosje, e cila gjithmonë thirret në atë se mbron interesat e shtetit në mënyrat e saj për të cilat mendimet janë të ndryshme.

Ngjarjet e 14 janarit 2012, treguan edhe një herë përpjekjet e këtij subjekti për të ndihmuar produktet dhe bizneset vendore. Nëse analizohen xhirimet filmike të ngjarjes së 14 janarit e më pas të 25 korrikut çfarë shihet?! Më 25 korrik në njërën anë shihet krenaria e Kosovës, njësitë speciale të Policisë së Kosovës duke rrezikuar kokat e tyre, e që fatkeqësisht u përcoll edhe me një të vdekur nga ana e policisë së Kosovës. E gjithë kjo në përpjekje për të mbrojtur interesat shtetërore dhe sovranitetin e shtetit. Por atje shiheshin “qytetarët” – serbë të Kosovës duke e sulmuar policinë e Kosovës. E pse policia të mos jetë më e ashpër me banorët serbë në veri?! Çfarë i dallon ata qytetarë nga qytetarët-aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje?! Më 14 janar kemi pamje të tmerrshme, kemi një polici krejtësisht tjetër, një makineri që përdorë dhunën pa hezitim. Tash ata që ishin krenaria e Kosovës para 7 muajve, pra Policia e Kosovës, u shndërruan në një aparat dhune dhe shkeljeje ndaj qytetarëve-shqiptarë që synojnë të mbrojnë interesin shtetëror.

E nga qeveria arrijnë akuza ndaj VV se me protestat e tyre po bllokojnë lirinë e lëvizjes, shkelje kjo që u bë nga vetë policia duke mos i lejuar autobusët dhe veturat që vinin nga Shqipëria në mbështetje të protestuesve që të hynë në Kosovë. Madje duke i arrestuar, rrahur dhe konfiskuar gjëra personale të tyre.

Protestuesit e dhunshëm!

Më e çuditshmja është se për dhunën e protestuesve flasin vetëm Policia e Kosovës si dhe kabineti qeveritar i zotit Thaçi! Pamjet e transmetuara nga televizionet e vendit tregojnë diçka tjetër. Qëndrimi në tokë i ulur dhe sjellja e dhunshme kanë dallim rrënjësor dhe nuk duhet ngatërruar me njëra tjetrën, por si duket Policia e Kosovës nuk mundi ta bëjë këtë dallim. Si mund të ndodhë që në temperatura nën 0 gradë celsius të përdoret uji për shpërndarjen e turmës. A thua tek ne të drejtat e njeriut nuk vlejnë?!
Është e drejtë e policit që të ndërmarrë masat e nevojshme për neutralizimin e personit që reziston, por nuk ka dispozitë ligjore dhe akt ligjor që i lejon pjesëtarit të policisë të godasë dikë pasi që ai gjendet ne tokë dhe me duar të lidhura, kjo ka ndodhur dhe është parë në filmime të ndryshme. Dhuna nuk u kufizua vetëm në protestues, ajo vazhdoi edhe në njerëz civil dhe të papërfshirë në protestë e rasti më i rëndë dhe më jo njerëzor ishte rrahja e një protestuesi të hendikepuar i cili u shtri për tokë dhe ndaj të cilit u ushtrua dhunë e panevojshme.

Kufizimi i punës së gazetarëve…

Liria e fjalës është njëra nga të drejtat themelore të njeriut. Puna që bëjnë gazetarët është e pavarur dhe i shërben vetëm informimit publik pa bërë anime por vetëm duke treguar dhe raportuar për të vërtetën. Kjo punë më 14 dhe 22 janar u pengua gjithashtu nga “Krenaria” e popullit të Kosovës. Fotoreporteri i mirënjohur Vedat Gjymshiti, i cili këtë profesion e kryen tash e një kohë të gjatë me krenari dhe përpikëri ishte viktimë e Policisë së Kosovës. Në një intervistë të dhënë për Klan Kosova ky fotoreporter përshkruan tmerrin që përjetoi atë ditë.

Ai thoshte se duke marrë pozitën për të fotografuar protestuesin që rrehej nga policia, kishte ndjerë diçka ta godiste në kokë dhe më pas për një kohë ai ishte i alivanosur. Protestuesi që Vedati dëshiroi të fotografonte doli të jetë protestuesi i hendikepuar. Pse duhet të ndodhë kjo? Nëse protestuesi ishte duke i rezistuar policisë, atëherë s’kishte ç’të fshihte?! Nuk ishte hera e parë që kjo i ndodh Vedatit, ai është sulmuar dhe kërcënuar edhe më herët nga policia, e sigurisht që nuk do të jetë hera e fundit.

Glauk Konjuvca, aktivist i lëvizjes VV dhe njëkohësisht edhe nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, ishte edhe njëri nga viktimat e shumta. Ai u shkelmua nga policia dhe si suvenir në ballë i mbeti shenja e këpucës së “krenarisë së Kosovës’’. U arrestua Shpend Ahmeti nënkryetari i lëvizjes VV, Fisnik Ismaili e shumë të tjerë.

Përgjegjësia?

Pas gjithë këtyre ngjarjeve, rrahjeve, keqtrajtimeve etj. etj, dikush duhet të ketë përgjegjësi! Por kush të akuzohet përpara. Qeveria që ishte e mllefosur me aksionin e Vetëvendosjes që lejoi apo urdhëroi përdorimin e këtyre masave, apo policia dhe policët individual? Nuk ka dyshim në atë se përgjegjësia duhet ndarë, ata që urdhëruan dhe ata që zbatuan diçka të tillë. Se[se masat e ndërmarra nga aparati shtetëror i dhunës ishin anti humane. Pse nuk u shqyrtuan masa tjera, por erdhi menjëherë te forca dhe dhuna?

Një pjesë e përgjegjësi për këto ngjarje sigurisht që i takon edhe protestuesve, protesta u lajmërua se do jetë e qetë dhe paqësore nga VV, por disa aktivist apo qytetarë të bashkangjitur në protestë përdorën mjete të forta si gurë e gjëra tjera për të gjuajtur policisë. Nëse mendon të bësh një ndryshim në gjendjen e krijuar nuk mundesh ndryshe pos duke ngritur zërin dhe duke bërë protesta e tubime të tilla. Qeveria e hodhi poshtë vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës duke e mos zbatuar Mocionin që u miratua për kthimin e masave të reciprocitetit të plotë me Serbinë e madje në seancën e fundit ajo miratoi një mocion tjetër më qëllim që të revokojë atë të mëparshmin të miratuar nga po i njëjti kuvend.

A është me të vërtetë Qeveria ajo që është duke i bërë këto veprime apo është bërë marionetë e parazitëve ndërkombëtarë që nuk po bëjnë gjë tjetër pos shkatërrimin dhe rrënjosjen e vendit tash e 12 vjet! Askush nuk ta vërë veshin nëse fol e nuk merr masa. Edhe pse disa aktivist e protestues ishin gjithashtu të dhunshëm ndaj policisë, kjo nuk u jep të drejtë pjesëtarëve të policisë që të tejkalojnë masat e nevojshme për vënien nën kontroll të protestuesve dhe në asnjë mënyrë nuk e arsyeton dhunën e ushtruar pas arrestimit apo pas vënies nën kontroll të protestuesve.

Këto ngjarje janë dukuri që duhet harruar shumë shpejtë dhe nuk duhet të përsëriten, sepse kur ne bëjmë një hap para, me këso ndodhi kthehemi për dy hapa prapa. “Krenaria e Kosovës” duhet patjetër të ndalë këto veprime dhe sjellje të dhunshme ndaj popullit në shërbim të të cilit e ka për detyrë të jetë. Dhe po e përfundoj me një fjali të Albin Kurtit, liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili vazhdimisht po bënë përpjekje për të mos lejuar Serbinë që me aktivitete e politika të ndryshme të ketë ende ndikim dhe të vazhdojë të dëmtojë Republikën e Kosovës. ‘Kur drejtësia është e padrejtë, qetësia sigurisht që nuk vjen e qetë’.

Exit mobile version