Telegrafi

Vetëvendosje akuzon drejtuesit e organeve komunale në Prizren për kurdisje të tenderëve

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren ka akuzuar drejtuesit e organeve komunale për kurdisje të tenderëve. Sipas tyre një praktikë e tillë ka ndodhur edhe në rastin e ndarjes së vijave për transportin urban.

Sipas komunikatës së LVV-së, Komisioni për shqyrtimin e ofertave bazuar në shpalljen publike për ndarjen e vijave të transportit publik të udhëtarëve në komunikacionin urban për vitin 2024-2025, me datë 14 gusht 2024 ka shpallur fitues operatorin ekonomik “Efa Tourism LLC”.

“Në regjistrat e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, operatori “Efa Tourism LLC” figuron të jetë themeluar me datën 22 prill 2024, në emrin e personit të quajtur Emin Altunç. Ajo çka është e habitshme është se numri kontaktues i biznesit në fjalë është i zv. kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Levent Buş. Levent Buş ndonëse është anëtar i KDTP-së, është person i afërt me Shaqir Totajn dhe në Komitetin për Politikë dhe Financa përfaqëson PDK-në”, thuhet në reagimin e LVV-së, raporton Telegrafi.

Tutje është theksuar se “kompanitë e afërta me PDK-në tash e disa vite përfitojnë tenderë të kurdisur”, dhe se “tani kanë filluar të themelojnë biznese të reja për t’i kurdisur tenderët në dobi të tyre, me qëllim të përfitimit të paligjshëm”.

“Po ashtu, me të dhënat që disponojmë nga sinjalizuesit e këtij skandali, autobusët nga kjo kompani janë sjellë në Prizren para se të shpallet fituesi dhe qëndrojnë në hapësirat e një kompanie private. Rrjedhimisht, Lëvizja Vetëvendosje! në Prizren i bën thirrje Prokurorisë për veprim të menjëhershëm duke nisur hetimet ndaj të gjithë personave të përfshirë në këtë aferë korrupsioni”, përfundon reagimi i subjektit opozitar në Prizren. /Telegrafi/