Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes “Vetëvendosje” (LVV), Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se në zgjedhjet e ardhshme subjekti që ai përfaqëson do të hyjë në koalicion me shoqërinë civile dhe me njerëz nga shkenca e historia, por jo me AAK-në dhe “Nismën”.
Sipas Konjufcës, AAK-ja e “Nisma” synim e kanë postin e kryeministrit, kusht ky i panegociushëm nga “Vetëvendosja”.
Ndryshe, Konjufca në një intervistë për gazetën “Zëri” ka deklaruar se pas shkeljes së rezolutës për rrënimin e murit në veri, LVV-ja dhe dy subjektet tjera opozitare do të vazhdojnë me protesta varësisht prej rrethanave që do vijnë në ditët në vijim.
Ai më tutje i ka kritikuar takimet e nivelit të lartë të dialogut politik në Bruksel derisa ka theksuar se Gjykata Speciale është një gabim i madh dhe me tendenca raciste.
Ndërkohë, Konjufca e komenton edhe deklaratën e akademik Rexhep Qosjes për shkëmbim territoresh.
Ai mendon se Kosova në këto momente duhet angazhuar në ruajtjen e trojeve të vendit dhe duhet të ndalojë se maturi kufijtë sepse madhësia e tyre dihet. Për shqiptarët në Maqedoni Konjufca ka rekomanduar se duhet të jenë të bashkuar sepse pa ta rrëzohet qeveria maqedonase. /Zëri/