Site icon Telegrafi

Veteranomania

 “Ishin dalë listat…

A e pe, ai hajni ish ba veteran…

E kishin ba edhe “atë” dëshmorë…

I kish thirrë “ai” në mbledhje këta të komisionit ju kish thanë me ba mem hjek prej listave vi atje jav…

Ani as vëllain s’kishin guxu more me ja hjek…

Ev bre n… kur e kam pa edhe “atë” shpijunin në listë veç me dhanë dorëheqje krejt…”!

Janë këto vetëm disa nga shprehjet që dëgjohen çdo ditë në kafenetë e qytetit të Vushtrrisë në bisedat e mes veteranëve të UÇK-së. E, disa nga ata që janë në forma të ndryshme të përzier në procesin e verifikimit, i dëgjon duke thënë: “Valla Zona jonë u dal ma e mira… A e pe çka kish ba Llapi? Ani Dukagjini s’po guxon me i qitë listat se mos vet çka kishin ba edhe ata etj.”!

Për çudi, askush nuk merret me Drenicën…!

Se Ligji për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës 04/L- 261 ka plotë mangësi, kjo nuk vihet në dyshim; se çdo mangësi do të shfrytëzohet në dëm të UÇK-së, as kjo nuk vihet në dyshim. Përderisa veteran, invalid apo dëshmor mund të bëhet hajni, uzurpatori, narkomani, dezertori, spiuni e kush jo tjetër, veteranët e ndershëm nuk do të duhej të ndienin krenari që janë pjesë e atyre listave. Të bësh verifikim për të nxjerrë në pah të vërtetën e krenarisë kombëtare të UÇK-së dhe vet të mos jesh hiç “burrë i mirë”, kjo tregon epilogun e atij verifikimi. Të kesh në mesin e atyre “komandantëve” që bënë “verifikimin” të atillë “komandantë” që deklarojnë se unë edhe lopën e bëj dëshmore, është kjo sjellje e një “komandanti” që më arsyeton për emërtimin e bërë të shkrimit me titull “Kuku UÇK!”.

Sa më shumë njerëz që duan të hyjnë në listat e veteranëve, invalidëve dhe dëshmorëve të UÇK-së, aq më krenarë do të duhej të na bënte neve që ishim luftëtarë të UÇK-së, sikur kjo të bëhej nga dëshira për t’u bërë pjesë e krenarisë së të qenit ushtarë në mbrojtje të vendit. Por, shumica, për të mos thënë të gjithë nga ata që duan të hyjnë në mesin tonë, këtë e dëshirojnë për të përfituar diçka e jo se ishin përkrahës, qoftë edhe përkrahës moral të UÇK-së, ngase ka nga ata që edhe na kanë sharë në luftë e tash duan të përfitojnë. Jo se atyre iu intereson statusi, por për të përfituar apo për ta përdor si mburojë në ndonjë rast librezën e veteranit. Kjo si duket u bë një “sëmundje” që unë do ta quaja Veteranomania.

Thënia popullore “Peshku i madh i hanë të vegjlit”, nuk e di nëse kësaj radhe gjeti kuptimin, ngase ende nuk po mund ta kuptoj nëse “peshku i madh” i hëngri “ të vegjlit” apo peshqit “e vegjël” e hëngrën “të madhin”

Është përgjegjësi e drejtpërdrejt morale dhe kombëtare e ish komandantit të Zonës Operative të Shalës që të punojë sa më shumë për të ndriçuar të vërtetën rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Shalës, për të nxjerrë lista sa më të sakta, duke filluar me ndryshimin nga vetja.

Ish-komandanti i Zonës Operative të Shalës, kam përshtypjen se e ka ndarë përgjegjësinë te komandantët me të vegjël se ai, gjë që është në rregull, sepse ka qenë e pamundur që vetë ai t’i njoh të gjithë ushtarët. Por, është dashur që të kërkojë nga ata komandantë përgjegjësi maksimale, në qoftë se ata do të tentojnë t’i bëjnë veteranë njerëzit pa qenë ushtarë, t’i bëjë ushtarët invalidë pa u plagosur fare në luftë, t’i bëjnë dëshmorë veteranët të cilët nuk kanë rënë në luftë, t’i bëjnë dëshmorë martirët pa qenë fare ushtarë.

Ish-komandanti i Zonës Operative të Shalës ose iu ka besuar skajshmërisht ish-komandantëve që kanë qenë nën komandën e tij, ose nuk ka mundur ta përcjell ashtu siç duhet procesin e verifikimit. Pse? Sepse fillimisht në listën e Komandës së Zonës Operative të Shalës u futën invalidë dhe dëshmorë të paqenë (ndoshta edhe njerëz që nuk kanë qenë fare ushtarë janë bërë veteranë, invalidë dhe dëshmorë) dhe kështu ua hapi rrugën edhe komandantëve të tjerë që të japin “kontributin” e tyre …

Në Zonën Operative të Shalës, gjatë procesit të verifikimit ka vend për dyshim se është bërë pazar…!? Siç dihet, disa emra mbetën pezull dhe nuk figurojnë askund, ndërsa në fund ata do të “rehatohen” në vendin e premtuar.

Zona e Shalës do të duhej të japë informacion se sa njerëz kanë aplikuar në këtë proces dhe kështu do të vëreheshin ata që kanë mbetur “pezull”. Disa të tjerëve që kishin aplikuar për statusin e invalidit, sipas dëshmitarëve që kanë marrë pjesë në komisione, iu premtua se do t’ua pranojnë statusin pas ankesës, veçse qëllimi është të dalin fillimisht sa më pak dhe të duken se janë më të mirët.

Sa më lartë në piramidën e hierarkisë ushtarake të UÇK-së, aq më e madhe ka qenë mundësia që të fusin apo fshijnë nga lista dikë.

Shumë nga këta komandantë nuk do të duhej të ishin pjesë e këtij procesi historik, i cili proces po ndodhë për fajin e tyre, ngase sikur ata të kishin arkivat e tyre, ky proces do të ishte fare i lehtë.

Megjithatë, nëse këta komandantë kanë qenë të paarsimuar dhe nuk e kanë kuptuar rëndësinë e mbajtjes së shënimeve për luftën, në këtë ushtri kishte njerëz që ishin të gatshëm për ta bërë këtë, vetëm kërkonin aprovimin e komandantit të tyre, ndërsa komandantët deklaronin se “i kanë njerëzit e caktuar” për këtë, edhe pse nuk diheshin se kush janë ata. Ushtarët mbanin shënime për vete, kështu që kujtimet e ushtarëve që kanë mbajtur ditarë mund ta qesin të vërtetën në sipërfaqe. Po ashtu, ka pasur të tillë njerëz në UÇK, por edhe të tillë që nuk kanë qenë fare në UÇK, që kanë ditur ta shfrytëzojnë paaftësinë, nepotizmin dhe lakminë e komandantëve. Të tillët, me përfundimin e luftës iu afruan komandantëve dhe morën nga ata deklarata me shkrim, të nënshkruara nga vet ata komandantë.

Komandantët e tillë (kuptohet me përjashtime shumë të vogla), jo vetëm nga Zona Operative e Shalës, menjëherë pas përfundimit të luftës u futën në biznese duke bashkëpunuar me njerëz të dyshuar, madje edhe duke bashkëpunuar me Serbi për ta funksionalizuar “tregtinë e lirë”. Andaj, më vonë është dashur t’ua kthejnë borxhin njerëzve të tillë për t’i bërë, veteranë, invalidë, apo edhe dëshmorë pa qenë fare të tillë. Dhe kjo nuk ishte e vështirë, ngase edhe një “dëshmor” lehtë mund ta bënin, vetëm iu duhej të errësohej dhe për një natë, njerëzit e natës bënë edhe “dëshmor”.

(Autori është veteran i UÇK-së)

Exit mobile version