Telegrafi

Veterani i UÇK-së kërkon ndihmë nga Kurti: Me 170 euro pension e pa shtëpi, s’po mundem as të martohem

Vehbi Tahiri nga Podujeva, që është veteran i UÇK-së,  jeton në kushte shumë të vështira ekonomike. Ai po kërkon ndihmë nga kryeministri Kurti.

Vehbiu ka qenë ushtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën e Pashtrikut.

Për shkak të kushteve të rënda ekonomike, Vehbiu thotë se po të dinte se do të ishte kështu e ardhmja, nuk do të kishte luftuar fare.

“Çfarë të bëjmë me 170 euro. Të paguajmë rrymën apo të ushqehemi”, deklaroi veterani për Kojshia Show.

Prej dy vitesh Vehbiut i ka vdekur edhe gruaja nga një sëmundje e rëndë.

Ai thotë se nuk po mund të martohet për shkak të kushteve të rënda ekonomike.

“Po të kisha motër, unë as vet nuk do ta lejoja të martohet me dikë që ka këto kushte. S’po mund të martohem për shkak të kushteve ekonomike”.

Veterani kërkon ndihmë nga shteti dhe të gjithë atë që kanë mundësi për të pasur një shtëpi.

“170 euro as për të ngrënë nuk mjaftojnë”.

Ai thotë se pos vështirësive ekonomike ka edhe probleme shëndetësore.

“170 euro nuk po më dalin as për ilaçe. Kam problem me unazat e shpinës. Nuk e kam menduar se do të vijë një ditë si kjo”.

Veterani ka pasur një mesazh edhe për kryeministrin Albin Kurti.

“Ftoj kryeministrin Kurti që jo vetëm mua por gjithë veteranëve t’ua rritë pagat”, deklaroi tutje ai./Telegrafi/