Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, britaniku Jon Harrison, vazhdon ta shpreh me sinqeritet dashurinë e tij ndaj Kosovës.
“Kosova ka qenë në zemrën time, dhe është atje ku ka kam kërkuar dhe ajo është pranuar se Kosova do të jetë vendi përfundimtar dhe i prehjes sime”, ka thënë disa herë Harrison.
Ndërkaq, në emisionin Info Magazine të Klan Kosovës, ai tregon se si njeri që ka lindur i lirë, në Britani të Madhe, nuk mund të rrinte indiferent ndaj asaj që ndodhte në Kosovë. Ndaj, vendosi të vinte e të luftonte për lirinë e shqiptarëve.
Oficeri i pensionuar britanik, që në krahët e tij mbanë tatuazhin e skuadrës Delta, të brigadës 138 Agim Ramadani, përsërit se dëshiron të varroset në Koshare.
Duke përmendur se skuadra e tij nuk kishte as 50 anëtarë dhe në pyetjen e moderatorit Kushtrim Sadiku se çfarë do të bënin sikur t’i kishin 50 mijë ushtarë (aq sa kanë aplikuar për statusin e veteranit), Harrison tha: “Do të pinim pas lufte kafe në Beograd, do ta kishim Kosovën e madhe”.
“Nuk e di ku kanë qenë të gjithë ata veteranë të luftës të deklaruar pas lufte. Në fillim të Betejës së Koshares kemi qenë vetëm 49 ushtarë”, thotë ai.
Harrison ka thënë po ashtu se ndjehet shqiptar, se “gjaku im është anglez, por zemra ime rrah për Kosovën”.
Ai thotë se ka qenë ditë shumë e jashtëzakonshme ajo kur ka marrë certifikatën si veteran i luftës nga kryeministri Isa Mustafa.
“Në dallim me Kroacinë ata nuk kanë njohur asnjë nga ushtarët e huaj, por ajo certifikatë është e vendosur në murin tim dhe kushdo që vjen e sheh atë fotografi”.
Ndryshe, Kuvendi Komunal i Prizrenit, me sa duket ka marr vendim që një rrugë ta emërtojë në nder të ish-ushtarit të UÇK-së nga Brigada “Agim Ramadani”, britanikut Jon Harrison. /Telegrafi/