Telegrafi

Veterani i Real Madridit do ta shqyrtojë më kujdes ofertën e rinovimit nga klubi

Real Madridi ka në ekip katër lojtar të cilëve iu skadon kontrata këtë verë dhe dy prej tyre pritet që të rikthehen në klubet respektive pasi janë transferuar në Spanjë vetëm në formë huazimi, por sidoqoftë gjiganti spanjoll do të bëjë përpjekje që të mbaj në ekip shumicën prej tyre.

Kepa Arrizabalaga pritet të rikthehet tek Chelsea ndërsa duket se Luka Modric do të largohet, por ‘Los Blancos’ do të ofrojnë kontratë të re për Toni Kroos, Nacho Fernandez, Lucas Vazquez dhe do të mundohen të blejnë kartonin e Joselu Matos.

Pyetja se a dëshirojnë ata që të qëndrojnë tek Reali është diçka tjetër. Toni Kroos ka vendosur të qëndrojë i heshtur sa i përket pensionimit të mundshëm, ndërsa së fundmi ka pasur raportime se raporti i Nacho Fernandez me Carlo Ancelottin nuk është më i miri, pasi italiani ka preferuar Aurelien Tchouamenin si opsion në mbrojtje para spanjollit.

Sipas gazetarit Matteo Moretto, e ardhmja e Vazuqez po ashtu është e pasigurt. 32-vjeçari ka qenë një alternativë e besueshme në krahun e djathtë të mbrojtjes për Dani Carvajal tash e disa vite me radhë, dhe pritet që t’i ofrohet një kontratë e re.

Por, Vazquez besohet se do ta shqyrtojë ofertën me shumë kujdes para se të vendosë nëse do ta provojë një eksperiencë të re në vitet e tij të fundit të karrierës, apo dëshiron të mbetet në ‘Santiago Bernabeu’.

Lexo po ashtu Rivali i madh i Real Madridit që e sfidon për nënshkrimin e Rafael Venancios

Duket më shumë e mundshme se Vazquez do dëshironte qëndrimin. Ai gjithmonë ka folur me admirim për ‘Los Blancos’ dhe ka qenë një ndër lojtarët më të përkushtuar të ekipit.

Ashtu siç është politika e Real Madridit për lojtarët që kanë mbushur të 30-tat, Vazquezit do t’i ofrohet një kontratë njëvjeçare./Telegrafi/