Shtetet e Bashkuara janë ende në shok pas vrasjes masive në Las Vegas, ku Stephen Paddock 64-vjeç, filloi të shtie mbi turmën që ishin mbledhur për të ndjekur nga afër festivalin e muzikës country, shkruan Daily Mail.
Ai vrasjet i kreu nga kati i 32-të i hotelit Mandalay Bay, ku si pasojë humbën jetën 59 persona dhe qindra tjerë u plagosën, transmeton Telegrafi.
Ndërkaq veterani i luftës në Irak, i cili po qëndronte në hotelin e njëjtë ku ishte sulmuesi, thotë se nuk e kupton arsyen se pse u është dashur aq kohë që të futen në dhomën e sulmuesit.
Policia fillimisht kishte pranuar një telefonatë për të shtënat në festivalin “Route 91 Harvest” rreth orës 22:08 sipas orës lokale.
Ndërsa njësitet speciale vetëm pas 72 minutave janë futur në dhomën e Paddockut në hotelin Mandalay Bay dhe aty e kuptuan se ai kishte kryer vetëvrasje.
Dhe çështja që po e brengos më së shumti veteranin është fakti se pse ka ndodhur vonesa prej 24 minutave, kur njësitet speciale të armatosura deri në dhëmbë kanë qenë të gatshme të futen në dhomën e sulmuesit.
Chris Bethel, që ishte dy kate më poshtë sesa Paddock, vazhdimisht po pyet pse u është nevojitur kaq shumë kohë policisë që ta ndalin Paddockun që vrau 59 persona dhe plagosi qindra tjerë në vrasjen masive që konsiderohet si më e renda në historinë e SHBA-ve.
“Duket se është nevojitur shumë kohë që të vijnë dhe ta kapin. Kjo po më brengos thellë në shpirt”, ka deklaruar Bethel.
Ky ushtarak amerikan nga Teksasi, kishte shkuar në Las Vegas për të marrë pjesë në një konferencë për Teknologji Informative, dhe ishte në dhomën e hotelit kur dëgjoi të shtënat që po vinin nga lart.
“Kam dëgjuar shkrepjen e pandërprerë të plumbave. Dhe atë nga pushka automatike. Është dëgjuar edhe një shpërthim, që dukej e ngjashme me atë të një bombe. Dhe më pas janë dëgjuar sërish të shtëna”, ka deklaruar ai.
Ky veteran i luftës i kishte telefonuar recepsionistit të hotelit dhe policinë për t’i paralajmëruar se sulmuesi gjendet disa kate mbi të. Por, askush nuk i është përgjigjur thirrjeve të tij.
“Kalonin sekondat e minutat, kurse plumbat vazhdonin të shkrepeshin. Ndërrimi i armëve, kalibrat kanë mundur të dëgjohen gjatë shkrepjes së plumbave”.
Sipas vlerësimeve, policia fillimisht kishte ardhur në lokacionin e gabuar, më saktë disa kate më poshtë se që është dashur. Por, ai disi ka arritur t’ua bëjë me dije se nuk janë në vendin e duhur.
Betel ka thënë se ka ndjenjën se do të mund të shpëtonte më shumë jetë njerëzish, nëse dikush do të përgjigjej në telefon, kur ai kishte thirrur. /Telegrafi/