Site icon Telegrafi

Veteranët, thirrje spektrit politik: Tejkaloni ambiciet personale!

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, i bëjnë thirrje spektrit politik në Kosovë, që të tejkalojnë ambiciet personale, interesat e ngushta grupore-partiake dhe të vihen në mbështetje të shtetit.

“Është moment kritik kur klasa politike duhet të reflektojë kulturë institucionale, vetëdije shtetërore dhe shtet formuese, përgjegjshmëri politike-institucionale dhe diplomaci konstruktive për të ruajtur pozicionin ndërkombëtar të Kosovës, garancitë dhe garantuesit e pavarësisë së Kosovës dhe shtet ndërtimit, natyrisht, të udhëhiqeni nga vlerat nacionale me karakter integrues dhe promovuese të paqes”, thuhet në komunikatë.

Komunikata e veteranëve të UÇK-së:

Ne veteranët e Luftës së Koshares, duke e parë gjendjen e paragjykuar pas zgjedhore, ju bëjmë thirrje spektrit politik në Kosovë, që të tejkalojnë ambiciet personale, interesat e ngushta grupore-partiake dhe të vihen në mbështetje të shtetit të Republikës së Kosovës, interesave të tij dhe bërjes së tij shtet funksional.

Në këtë ju obligon besimi i dhënë i qytetarëve të Kosovës, pritjet e tyre dhe rekomandimet e partnerëve strategjik ndërkombëtarë për stabilitet politik dhe institucional. Prioritet janë krijimi i institucioneve të Kosovës dhe shtyrja përpara e agjendave politike vendore dhe në konstalacion ndërkombëtar. Na obligon parimi politik se interesat e vendit dhe raportet me partnerët strategjik, duhet të determinojnë sjelljen dhe vendim-marrjen politike.

Është moment kritik kur klasa politike duhet të reflektojë kulturë institucionale, vetëdije shtetërore dhe shtet formuese, përgjegjshmëri politike-institucionale dhe diplomaci konstruktive për të ruajtur pozicionin ndërkombëtar të Kosovës, garancitë dhe garantuesit e pavarësisë së Kosovës dhe shtet ndërtimit, natyrisht, të udhëhiqeni nga vlerat nacionale me karakter integrues dhe promovuese të paqes.

Historia më e re e Kosovës njeh burrështetas (siç ishte presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova), i cili në momente kritike për shtetin, diti të tejkalojnë vetveten, dhe diti të del jo njëherë, mbi interesat partiake, të unifikoj spektrin politik vendor, për tu vënë në shërbim të interesave të shtetit.

Çdo gjë i ka rrënjët në tokë, veç liria i ka ne gjak. Kjo do të thotë se para nesh është Kosova, prapa nesh është historia, që na obligon që të marrim vendime në të mirë të kombit dhe të atdheut. Prandaj, duhet të kujdesemi që veprimet tona, si do të vlerësohen në të ardhmen prej Zotit dhe Historisë.

Exit mobile version